QENDRA BURIMORE PËR MËSIM DHE KËSHILLIM “XHELADIN DEDA” NË PEJË

 

Ndonëse në publik njihet kryesisht si shkolla speciale për nxënësit e verbër dhe me dëmtime në të parë, sot Qendra Burimore për Mësim dhe Këshillim (QBMK) “Xheladin Deda” në Pejë është shumë më tepër se sa një shkollë speciale.

 

Mijëvjeçari i ri solli vizion dhe mision të ri

Historiku i QBMK “Xheladin Deda” nis në fillim të viteve të tetëdhjeta, më saktësisht, më 26 prill të vitit 1982. Asokohe ajo filloi të operonte si shkollë speciale e tipit të mbyllur sipas ish sistemit edukativo-arsimor, për të vazhduar në këtë mënyrë deri në fund të viteve të nëntëdhjeta. Mirëpo, kjo shkollë e rifilloi punën në mijëvjeçarin e ri me një sistem pune dhe me një vizion të ri, ndryshe nga më parë. Në përputhje me reformat që u zhvilluan në sistemin edukativo-arsimor sipas konceptit gjithëpërfshirës, kjo shkollë e pranoi këtë reformë me qëllim që të shndërrohej nga shkollë speciale në qendër burimore. Një objektivë kjo që sipas drejtorit të kësaj shkolle z. Xhavit Kastrati tashmë është arritur, duke iu falënderuar në radhë të parë përkushtimit të stafit pedagogjik të shkollës, por edhe përkrahjes nga projekti FSDEK (Finnish Support to the Development of Education in Kosovo – Mbështetja Finlandeze për Zhvillimin e Arsimit në Kosovë), Ministria e Arsimit si dhe shumë partnerëve të tjerë.

 

Mbështetje dhe shërbime për fëmijët në tërë Kosovën

Transformimi nga shkollë speciale në qendër burimore është i rëndësishëm, sepse falë këtij transformimi kjo qendër jo vetëm që ofron mësim të rregullt në objektin e saj në Pejë, por ndërlidhet edhe me realizmin e përfshirjes së nxënësve të verbër dhe me dëmtime në të parë në shkollat e rregullta. Në lidhje me këtë mision të kësaj qendre drejtori Kastrati shpjegon: “Nga ky institucion marrin shërbime rreth 110 nxënës/fëmijë nga mosha 0 deri 18 vjeç, në dy grupe. 30 fëmijë/nxënës marrin shërbime në qendër me qëndrim javor dhe 80 në shkolla të rregullta, institucione parashkollore dhe në familjet e tyre. Ne i shërbejmë me materiale dhe këshilla profesionale nxënësit/fëmijët, prindërit dhe personelin arsimor në shkollat ku këta fëmijë janë të integruar.”

 

Mësuesit udhëtues një urë lidhëse e rëndësishme

Vlen të theksohet se kjo qasje e re në shkollimin e këtyre nxënësve nisi fillimisht në rajonin e Pejës. Më pas, nga viti 2007 këto shërbime filluan që të ofroheshin në tërë Kosovën përmes dy mësuesve udhëtues, të cilët i identifikojnë nevojat e nxënësve të verbër dhe me të parë të dëmtuar në shkollat e rregullta dhe janë mbështetës të tyre në aspektin arsimor. Këta arsimtarë janë si urë lidhëse në mes të shkollave të rregullta dhe qendrave burimore dhe punojnë për sigurimin e pajisjeve të nevojshme ndihmëse dhe materialeve të mësimdhënies. Përndryshe, qendra burimore i ka gjithsejtë të punësuar 39 persona nga të cilët dy janë në menaxhim, një është bashkëpunëtor profesional, dy mësues udhëtues, trembëdhjetë mësimdhënës, tetë edukatore dhe rehabilitues, dy punëtorë në shtypjen e materialeve dhe të tjerët janë staf teknik për kuzhinë dhe higjienë.

 

Prindërit janë palë direkte në hartimin e planeve individuale

Gjatë bisedës sonë, drejtori Kastrati tha se për sa i përket objektit dhe kabineteve ai është mjaft i kënaqur me kushtet ekzistuese. Mirëpo, siç theksoi ai, të gjithë aktorët e përfshirë në punën e kësaj qendre synojnë përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve teknologjike dhe njerëzore në mënyrë që shërbimet e ofruara nga kjo qendër të jenë sa më cilësore. E tërë kjo punë ka rezultuar edhe në përfshirjen e prindërve në punën e qendrës përkundër sfidave si distanca gjeografike. Gjithsesi, kjo qendër zhvillon shumë aktivitete jashtëshkollore në terren dhe trajnime të cilat japin mundësi të mira për përcjelljen e mbarëvajtjes së procesit si dhe në hartimin e planeve individuale ku prindërit janë palë direkte në hartimin e tyre.

 

Sukseset e nxënësve motivimi më i mirë

Sipas drejtorit Kastrati, kënaqësia më e madhe nga puna e pakursyer që zhvillohet në këtë qendër janë sukseset e nxënësve. “Rezultatet e nxënësve tanë janë të shkëlqyera për faktin se të gjithë i nënshtrohen vlerësimeve të jashtme në testet e semimaturës dhe maturës, në të cilat tregojnë rezultate të larta si dhe shumica absolute e tyre regjistrohen dhe i përfundojnë studimet e larta nëpër universitete e kolegje të Kosovës. Kjo na kënaqë si dhe na motivon për punë akoma edhe me më shumë përkushtim e kreativitet,” tha në fund drejtori Kastrati.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE