SAO TOME DHE PRINCIPE (SHËN THOMAI DHE PRINCI)

 

Në Gjirin e Guinesë në afërsi të bregdetit perëndimor të Afrikës gjendet Republika Demokratike e Sao Tome dhe Principe. Ky është një vend i vogël, i cili përbëhet prej dy ishujve kryesor dhe një duzine të ishujve më të vegjël. Siç mund ta keni kuptuar emri i këtij vendi rrjedh nga emrat e këtyre dy ishujve Sao Tome dhe Principe.

 

Plazhi Banane

Principe është ishulli paksa më i vogël dhe në të gjendet një destinacion mjaft i popullarizuar turistik i cili e ka një emër tejet të veçantë: Plazhi Banane. Është interesant se emri i këtij plazhi nuk ka të bëjë me kultivimin e bananeve. Siç mund të shihet edhe nga foto, i parë nga lart ky plazh duket sikurse një banane gjigande. Jo shumë larg këtij plazhi të mrekullueshëm për not dhe rrezitje gjendet edhe një gumë koralore. Rrjedhimisht, ky plazh konsiderohet edhe si një parajsë për zhytësit e lirë.

 

Vendi ku u vërtetua ‘Teoria e Relativitetit’

Ishulli Principe nuk është i njohur vetëm për peizazhet dhe plazhet. Gjatë eklipsit solar total në vitin 1919, astronomi anglez Artur Stenli Edington (Arthur Stanley Eddington) e udhëhoqi një ekspeditë në ishullin Principe për ta vëzhguar eklipsin në fjalë. Pikërisht me këtë rast, Edington ishte i pari që e vërtetoi ‘Teorinë e Relativitetit’ të Albert Ajnshtajnit (Albert Einstein) duke e fotografuar devijimin gravitacional të dritës së yjeve.

 

Pse Sao Tome dhe Principe?

Emri i ishujve Sao Tome dhe Principe vjen nga gjuha portugeze, pasi që ishin dy eksplorues mesjetar portugez Zhao de Santarem (João de Santarém) dhe Pedro Eskobar (Pêro Escobar) ata që i zbuluan të parët këta ishuj. Ata e emëruan ishullin më të madh ‘San Tome’ pasi që e zbuluan atë në ditën e Shën Thomait. Kurse ishullin më të vogël fillimisht e pagëzuan me emrin ‘Santo Antão’ sipas Shën Antonit. Sidoqoftë më vonë ky ishull i ripagëzua me emrin ‘Ilha do Príncipe’ që do të thotë Ishulli i Princit, sigurisht në nder të Princit të Portugalisë, të cilit edhe i paguhej taksë për kulturat e sheqerit që rriteshin në këtë ishull. Me fjalë të tjera i shqipëruar emri i këtyre ishujve dhe vet shtetit në fjalë është: Republika Demokratike e Shën Thomait dhe Princit.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE