SHËTITJE VIRTUALE NË KOPSHTET BOTANIKE MË TË MIRA NË BOTË

Për shkak të koronavirusit jemi të detyruar të qëndrojmë në shtëpitë tonë, andaj janë të shumtë ata që mendojnë se pranvera sivjet nuk do të mund të shijohet. Natyra është zgjuar dhe dielli po na thërret të dalim jashtë, mirëpo, edhe pse nuk do të dëshironim asgjë më shumë, gjëja më e mirë që për momentin mund ta bëni është që të qëndroni në shtëpi. Pandemia e shkaktuar nga koronavirusi i ka mbyllur kufijtë, muzetë botërore, parqet, por ngushëllim na ofron mundësia që së paku në mënyrë virtuale të udhëtojmë. Sot, nga rehatia e shtëpive tuaja bëni një shëtitje në kopshtet botanike më të bukura dhe më të njohura në botë.

 

KOPSHTET E VERSAJËS, PARIS
Pallati i Versajës,ë shtë një ndër pallatet më të bukura në botë dhe një prej atraksioneve turistike më të vizituara në Evropë. Krahas pallatit, po aq spektakolarë janë edhe kopshtet e tij, në të cilat gjenden qindra e mijëra pemë dhe bimë të cilat mbillen gjatë tërë vitit. Shmangni tollovitë e zakonshme turistike dhe filloni një vizitë nga dhoma e juaj e ndenjës përmes kësaj vegze:
https://artsandculture.google.com/story/cwWhTPHE38uq4g

 

KOPSHTET E PALLATIT TRAUTTMANSDORFF, MERANO
Pjesa e mrekullueshme e Merano-së, perlës italiane të Tirolit Jugor, është shpallur kopsht botanik në kuadër të pallatit Trauttmansdorff. Rreth pallatit janë mbjellur 80 kopshte, dhe secili prej tyre është tregim më vete. Kopshtet inovative dhe bashkëkohore i mahnisin vizitorët me kombinimin unik të artit, arkitekturës dhe natyrës. Në vitin 2013 kopshti u nderua me titullin e kopshtit më të mirë të vitit dhe ju mund ta vizitoni këtu:
https://www.trauttmansdorff.it/fileadmin/templates/r360/en/…

 

KOPSHTI I MONESË, GIVERNY
Kopshti i famshëm në Giverny, Francë, është emëruar sipas piktorit të famshëm Claud Mone, i cili jetonte këtu pasi që kishte rënë në dashuri me këtë qytet kur e kishte parë nga dritarja e trenit. Mone e ka rregulluar vet këtë kopsht dhe e kishte shpallur atë si veprën e tij më të bukur artistike, e cila i ka frymëzuar shumë prej veprave të tij. Krahas kopshtit ju mund të bëni një vizitë virtuale edhe në shtëpinë e tij në:
https://fondation-monet.com/visite-virtuelle/

 

KOPSHTET KEW, LONDËR
Kopshtet Botanike Mbretërore gjenden në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO. Ky është një prej kopshteve më të vjetra dhe më të rëndësishme në botë. Ai gjendet në bregun jugor të lumit Tamiz në mes të Richmond-it dhe Kew-it. Sot në kopsht gjenden rreth 40000 lloje të ndryshme të bimëve dhe për këtë arsye aty mund të kaloni tërë ditën dhe të mrekulloheni me rregullimin e vet hapësirës por, edhe shumëllojshmërisë së llojeve të bimëve. Deri sa të hapet këtë kopsht mund ta vizitoni këtu:
https://www.kew.org/about-us/virtual-kew-wakehurst

 

KOPSHTI BOTANIK BUFFALO
Frederick Law Olmstead, arkitekti i njohur i cili e ka dizajnuar Parkun qendror, është meritor edhe për dizajnimin e një prej kopshteve botanike më të vjetra në qytetin Buffalo, në shtetin e New York-ut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vizita virtuale ju mundëson që të shëtisni nëpër kupolën e xhamit me lartësinë marramendëse prej 120 metra e cila është e mbushur me fruta dhe bimë tropikale.
https://my.matterport.com/show/?m=pjbmGhqcRGh

 

KOPSHTI BOTANIK I SHBA-VE, UASHINGTON
I njohur edhe si “muzeu i bimëve të gjalla”, Kopshti Botanik i SHBA-ve gjendet afër ndërtesës së Kapitol Hill në Uashington. Në këtë oazë urbane gjenden 5 mijë orkide, si dhe kopshti i trëndafilave – lulja emblemë e SHBA-ve që nga viti 1986 – dhe kopshti i vetëm i cili i nderon kontributet e Zonjave të Para të SHBA-ve. Këtë muze mund ta vizitoni këtu:
https://www.usbg.gov/take-virtual-tour

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE