Një fizarmonicist i përkushtuar që nga mosha nëntë vjeçare, sot Shkumbin Miftari është një prej më të mirëve në Kosovë. Krahas arritjeve si instrumentist z. Miftari është edhe themelues i shoqatës së fizarmonikës “Kosovo Accordion Association”. Kjo shoqatë në bashkëpunim me Konfederatën Botërore të Fizarmonikës në mes të tjerash e ka si mision të saj gjetjen e talenteve të cilët luajnë fizarmonikë. Për këtë qëllim, gjatë muajit maj Kosovo Accordion Association e organizoi konkursin “Kosovo Accordion 2021”, për të përzgjedhur përfaqësuesit e Kosovës në garën “Trophée Mondial de l’Accordéon” (më shumë për këtë aktivitet mund të lexoni këtu). Në vijim ju ftojmë të lexoni intervistën që ekipi ynë e zhvilloi më z. Miftari.
Kush është Shkumbin Miftari, fillimet e para në skenën muzikore, takimi i parë me muzikën?
Unë jam Shkumbin Miftari, me profesion jam Master i instrumentit të fizarmonikës. Përndryshe, jam fizarmonicist i diplomuar, instrumentist i përkushtuar dhe gjithashtu koncertist nëpër vende të ndryshme. Dashuria për instrumentin dhe muzikën lindi shumë kohë më parë, që nga mosha 9 vjeçare, dhe rrjedhimisht i kam përfunduar edhe studimet Bachelor dhe Master Profesional për instrumentin e fizarmonikës.
Pse e keni zgjedhur instrumentin e fizarmonikës?
Fizarmonika si nga konstrukti edhe nga pamja është një instrument tërheqës dhe shumë interesant. Si fëmijë isha kureshtar për fizarmonikën dhe pastaj me kohë iu përkushtova pasi që është një instrument magjik dhe nuk mund ta braktisësh asnjëherë magjinë dhe ngrohtësinë që të ofron ajo. Fizarmonika është pjesë e pandashme e jetës time.
Kush ka ndikuar më shumë në formimin tënd si artist?
Në Kosovë Fizarmonika ka qenë dhe vazhdon të jetë në një nivel shumë të dobët, për shkak se në shkollat ku funksionon dega e fizarmonikës nuk ka profesorë të kualifikuar për këtë instrument. Unë si instrumentist dhe muzikant jam formuar në Universitetin e Arteve në Tiranë, në degën Instrumental Fizarmonikë Klasike. Në formimin tim si instrumentist profesional kanë ndikuar shumë edhe master klasat që i marr nga profesorë me emër në botë. Falënderimet e mija më të mëdha shkojnë për Universitetin e Arteve në Tiranë dhe të gjithë profesorët të cilët kanë bërë një punë shumë të madhe. Unë do t’i jem mirënjohës gjithmonë tërë stafit të universitetit, ku edhe pse ka vite që i kam përfunduar studimet akoma marr mbështetjen e tyre.
Cilat janë disa prej arritjeve më të mëdha muzikore në karrierën tuaj?
Në vitin 2020 i fillova përgatitjet për të marrë pjesë në garën më të madhe botërore, që është “Confederation Mondiale De L’accordeon” (Konfederata Botërore e Fizarmonikës). Në Konfederatën Botërore ka konkurrencë të jashtëzakonshme nga të gjitha vendet e botës ku vjet morëm pjesë mbi 750 konkurrent nga e gjithë bota. Me këtë rast, isha unë që e përfaqësova Kosovën për herë të parë në historinë e kësaj gare. Kur erdhi momenti i performancave, unë e dhashë më të mirën nga vetja, dhe arrita të renditem në vendin e 5-të në botë. Kjo ishte me të vërtetë një mrekulli për mua dhe karrierën time pasi që, direkt pas pjesëmarrjes time si garues e pranova një ofertë nga Presidenti i Festivalit, që duke filluar nga viti 2021 të isha pjesë e delegacionit të Konfederatës Botërore dhe të përfaqësoja Kosovën si pjesë e delegacionit. Pak ditë më vonë, më erdhi ftesa edhe nga organizatorët e garës “Accordion Star International” në SHBA, që të bëhesha pjesëtar i jurisë së kësaj gare. Tani, vazhdoj të jem aktiv si pjesëtar i Delegacionit për Konfederatën Botërore të Fizarmonikës dhe si pjesëtar i jurisë në Accordion Star International. Është një kënaqësi dhe nder të jem krahë për krahë me instrumentistët, kompozitorët dhe muzikantët më të mirë në botë.
Çfarë mendoni për skenën muzikore kosovare dhe çka do të ndryshoje?
Nuk mund të them që vendi ynë bën një jetë artistike të zhvilluar. Ajo që e shoh dhe ndjejë është një mungesë e pashmangshme e jetës artistike e kulturore. Mungojnë koncertet, ekspozitat dhe shumë organizime të tjera kulturore dhe artistike. Nuk dua të dukem pesimist, por mendoj se kjo situatë është disi e frikshme për gjeneratat e reja. Kjo për mendimin tim duhet të ndryshoj sa më shpejt, dhe pastaj pa dyshim që të gjithë talentet sot depërtimin në skenat botërore dhe afirmimin e kanë më të lehtë.
A mendon se artistëve të rinj iu jepet hapësirë e mjaftueshme në media?
Sipas përvojës time mendoj që sot të rinjtë e kanë mbështetjen e jashtëzakonshme dhe u jepet hapësirë shumë e madhe në media. Unë personalisht u jam shumë mirënjohës të gjitha mediave dhe portaleve sepse pa ju nuk do të kishte marrë rëndësinë e merituar as ky sukses i imi.