SHPALLEN FITUESIT E TOPIT TË ARTË 2022

 

Mbrëmë duke filluar nga ora 20:30, në një ceremoni gala në Qytetin e Dritave (Paris) u shpallën fituesit e Topit të Artë. Vlen të theksohet se ceremonia e sivjetme erdhi me disa ndryshime rrënjësore. Padyshim, ndryshimi më i madh ishte se sivjet ky çmim prestigjioz u nda për sezonin 2021-2022 dhe jo për vitin kalendarik, siç ishte deri tani.

 

Benzema një ndër fituesit më të moshuar

Pas shumë spekulimeve mbrëmë sulmuesi i kombëtares franceze dhe skuadrës së Real Madridit, Karim Benzema, e fitoi Topin e Artë në moshën 34 vjeçare, duke u radhitur si një ndër fituesit më të moshuar të këtij trofeu prestigjioz. Në radhitjen finale Karim Benzema doli i pari, i dyti doli senegalezi Sadio Mane, i cili gjatë verës kaloi nga Liverpuli te Bayern Munich (Bajerni i Mynhenit), kurse në vendin e tretë doli belgu i Manchester City (Mançester Siti) Kevin De Bruyne.

 

Levwandovski – sulmuesi më i mirë

Ndonëse, në radhitjen për shpërblimin kryesor të Topit të Artë, Robert Lewandovski (Levandovski) doli vetëm i katërti, ai e fitoi sërish shpërblimin Gerd Muller për sulmuesin më të mirë. Këtë çmim ai e fitoi pasi që në sezonin e kaluar ai i shënoi 50 gola në Bundesligën gjermane në atë që rezultoi të ishte sezoni i tij i fundit me Bayern Munich pasi gjatë verës ai kaloi te Barcelona.

 

Alexia Putellas fituese dy herë radhazi

Në kategorinë e femrave, mesfushorja e kombëtares spanjolle dhe Barcelonës Alexia Putellas hyri mbrëmë në histori pasi që e fitoi Topin e Artë për femrat për të dytin vit radhazi, përderisa sulmuesja e Anglisë Beth Mead doli e dyta.

 

Momente prekëse për fituesit

Me rastin e pranimit të shpërblimit të tij, të cilin ia dorëzoi bashkëkombësi dhe legjenda e futbollit francez Zinedin Zidane, Benzema theksoi se ky ishte një çast i krenarisë për të. “Kjo ishte ëndrra ime që nga fëmijëria dhe nuk ishte e lehtë, por nuk jam dorëzuar asnjëherë përkundër vështirësive.” Me këtë rast, Benzema po ashtu u shpreh tejet i entuziazmuar që në këtë mbrëmje ishte pranë dy idhujve të tij Zidane dhe ikonës së futbollit brazilian, ‘Fenomenit’ Ronaldo Luís Nazário de Lima.

 

Putellas, në anën tjetër u shpreh tejet e kënaqur për rikthimin e saj në këtë podium si fituese e topit të Artë për femrat, pasi që siç theksoi ajo, fitorja në edicionin e kaluar e kishte shtyrë që të punonte edhe më shumë dhe falë kësaj Putellas arriti që ta drejtonte Barcelonën drejt fitores së tre titujve kombëtar gjatë sezonit të kaluar.

 

Edhe pse nuk fitoi, De Bruyne hyn në histori

Edhe renditja e Kevin De Bruyne në vendin e tretë ishte një arritje historike, pasi që ai është lojtari i parë i Manchester City që u fut në treshen më të mirë në kategorinë  e meshkujve.

 

Fituesit e tjerë

Në mesin e trofeve të tjerë që u ndanë portieri i Real Madrid, gjigandi belg Thibaut Courtois u nderua me çmimin Yashin për portierin më të mirë. Sadio Mane u nderua me çmimin inaugurues Socrates, i cili është emëruar sipas kapitenit të Brazilit në Botërorin 1982. Ky çmim u nda për nismat më të mira shoqërore. Kurse Trofeu Kopa për lojtarin më të mirë nën moshën 21 vjeçare iu nda mesfushorit të Barcelonës Gavi, i cili njëherit është edhe lojtari më i ri që e ka përfaqësuar kombëtaren e Spanjës. Klubi i vitit u shpall Manchester City.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE