SHTËPIA E POSTËS TIANFU NË ZONËN E TRI URAVE NATYRALE NË WULONG, KINË

 

Oborri në formë katrori dhe strukturat që shihen rrëzë këtyre shkëmbinjve të mbuluar me gjelbërim, janë rindërtim i një shtëpie postare të ndërtuar më shumë se njëmijë vjet më parë në kohën e Dinastisë Tang. Këto ndërtesa ishin shkatërruar nga luftërat dhe elementet atmosferike, por u rindërtuan për nevojat e xhirimit të filmit ‘Curse of the Golden Flower’ në vitin 2005.

 

Në anën tjetër, këta shkëmbinj marramendës janë krijuar aty shumë kohë më parë. kjo zonë njihet si Tri Urat Natyrale të Qarkut Wulong në Kinën Juglindore. Këtu mbizotërojnë shkëmbinjtë karstik, të cilët krijojnë peizazhe të pabesueshme. Përndryshe, ashtu siç edhe nënkuptohet nga emri, zona është emëruar sipas tri urave natyrale të cilat fillimisht ishin shpella. Mirëpo, procesi i erozionit i ka gërryer ato dhe i ka kthyer në atë që njihet si grupi më i madh i urave shkëmbore natyrale në Azi. Për më tepër, këto tri ura me të drejtë janë pagëzuar me emrat e krijesave mitike: Dragoi i Qiellit, Dragoi i Kaltër (Azure) dhe Dragoi i Zi.

 

Shesh xhirim për dy filma

Siç e kemi cekur më sipër kjo shtëpi e postës u rindërtua për nevojat e filmit ‘Curse of the Golden Flower’, gjegjësisht me kërkesën e regjisorit të këtij filmi Zhang Yimou. Ky i fundit, njihet për këmbënguljen e tij që të shfrytëzojë lokacione të vërteta për skenat e filmave të tij në vend të krijimit të tyre me teknologjinë CGI (Computer Generated Images) në studio filmike. Këmbëngulja e tij shkon  deri aty sa që kur është e nevojshme edhe t’i ndërtojë tërësisht skenat e tij si në rastin e kësaj shtëpie postare e cila është rindërtuar për t’i ngjarë sa më shumë ndërtimit origjinal.

 

Filmi ‘Curse of the Golden Flower’ nuk është filmi i vetëm që është xhiruar këtu pasi që vetëm dy vjet më vonë regjisori amerikan Michael Bay e zgjodhi këtë vend për të xhiruar pjesë të filmit ‘Transformers: Age of Extinction’. Në fakt, një shikim në këtë peizazh dhe është e qartë se çka i ka tërhequr këta dy regjisorë që ta zgjedhin këtë lokacion për filmat e tyre. Me sa duket, natyra vazhdon të jetë krijuesi numër një i peizazheve mbresëlënëse.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE