“SHTËPIA PA MIQ NUK MUND TË MBIJETOJË”

 

Në organizim të kontingjentit ushtarak danez të KFOR-it, më 31 mars dhe 1 prill, në afërsi të bazës së KFOR-it në Novosellë u mbajt një marsh tradicional ushtarak humanitar. Me atë rast u grumbulluan 11.500 euro dhe kjo shumë i është dorëzuar Shkollës për Arsim Fillor dhe të Mesëm “Bozhuri i Kosovës (Kosovski Bozur)” në veri të Mitrovicës. Shkolla për Arsim Fillor dhe të Mesëm “Kosovski Bozur” merret me punën arsimore të fëmijëve dhe të rinjve me nevoja të veçanta dhe aktualisht i ka 52 nxënës.

 

Nxënësit e shkollës fillore dhe të mesme “Kosovski Bozur” i pritën me performancë dhe një këngë pjesëtarët e kontingjentit danez të KFOR-it. Ata kënduan për miqësinë në shenjë mirënjohjeje për donacionin që do t’u mundësojë të shkojnë në Zlatibor këtë vit. Drejtoresha e shkollës, Marta Popoviq, e falënderoi KFOR-in për këtë donacion të vlefshëm dhe njoftoi se paratë do të përdoren për një ekskursion rehabilitues. “Kjo tashmë po bëhet një lloj tradite sepse ushtarët e organizojnë marshimin DANCON çdo vit dhe u mundësojnë fëmijëve tanë të shkojnë në mësime rekreative, duke pasur parasysh që shumica e prindërve të fëmijëve të kësaj shkolle nuk janë në gjendje ta përballojnë atë. Bashkëpunimi ynë vazhdon. Dua që me këtë rast të falënderoj ushtarët dhe t’iu them se dyert e shkollës sonë do të jenë gjithmonë të hapura për ta”, tha Popoviq.

 

Më shumë se një mijë ushtarë të KFOR-it kontribuan në këtë donacion

Nënkoloneli Kim Sorentsen, i cili drejton kontingjentin danez në misionin e KFOR-it, tha se është krenar për ushtarët e tij që organizuan këtë ngjarje humanitare dhe së bashku me ushtarët e kontingjenteve të tjera kanë mbledhur një shumë të konsiderueshme parash. “Më shumë se një mijë ushtarë të KFOR-it marshuan rreth Novosellës më 31 mars dhe 1 prill. Ky veprim sjell kënaqësi të dyfishtë. Së pari, ushtarët shoqërohen dhe bashkëpunojnë me ushtarët e kombeve të tjera, dhe në të njëjtën kohë ne i ndihmojmë fëmijët që mësojnë këtu të marrin edhe një përvojë pozitive më shumë”, tha nënkoloneli Sorentsen.

 

Donacion i teknologjisë informative për tri shkolla

Donacioni nga DANCON MARCH nuk ishte i vetmi në këtë periudhë që u realizua nga pjesëtarët e KFOR-it. Në fakt donacione kanë marrë edhe tri shkolla në komunën e Suharekës, por kësaj radhe nga CIMIC-i i KFOR-it (bashkëpunimi civilo-ushtarak). Si pjesë e këtij donacioni, shkollat fillore në fshatrat Sallagrazhdë, Semetishtë dhe Nishor morën pajisje të teknologjisë informative, si projektorë dhe laptopë.

 

Ceremonia e ndarjes së këtyre pajisjeve u mbajt në shkollën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në fshatin Sallagrazhdë, ku përveç përfaqësuesve të KFOR-it, kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, drejtori komunal i arsimit, Remzi Bajselmanaj dhe drejtorët e të tri shkollave të përmendura, si dhe mësues dhe nxënës të shkollës nikoqire ishin të pranishëm. Donacionin simbolikisht në emër të KFOR-it e dorëzoi komandanti i Komandës Rajonale Perëndimore të KFOR-it, kolonel Mario Bozzi.

 

I jemi mirënjohës KFOR-it për mbështetjen e vazhdueshme

Pas pranimit të këtij donacioni, kryetari Muharremaj falënderoi për angazhimin e vazhdueshëm të KFOR-it në Kosovë dhe veçanërisht për investimet në ardhmërinë e rinisë sonë. Në shenjë mirënjohjeje ai i akordoi komandantit Bozzi edhe një çmim, për punën dhe angazhimin e tij, si dhe për punën e ushtarëve që komandon. Me atë rast, kolonel Bozzi theksoi se është veçanërisht i lumtur për realizimin e donacioneve të këtij lloji, duke pasur parasysh se fëmijët e tij janë të moshës së nxënësve të këtyre shkollave, andaj ndihma ndaj tyre e bën të ndihet sikur po ndihmon fëmijët e vet. Ai po ashtu, ka shtuar se është e rëndësishme që KFOR-i të investojë në edukimin e gjeneratave të reja, sepse është investim për të ardhmen e Kosovës. Nga ana tjetër, drejtori i arsimit, z. Remzi Bajselmanaj, falënderoi të gjithë pjesëtarët e KFOR-it për punën e tyre dhe theksoi se donacione të tilla janë një tjetër dëshmi se “shtëpia pa miq nuk mund të mbijetojë”.

 

MARSHI I PARË DANCON ËSHTË ORGANIZUAR NË QIPRO

Marshi ushtarak humanitar është një veprim tradicional që ushtarët danezë e filluan në vitet e 70-ta në misionet e tyre jashtë vendit. Për herë të parë u organizua në Qipro. Që atëherë e deri më sot, ushtarët danezë organizojnë këtë aksion dhe ftojnë ushtarë të tjerë që t’u bashkohen dhe të ndihmojnë ata që kanë nevojë për ndihmë. Kapiteni i kontingjentit danez të KFOR-it në kampin e Novosellës, Rune Larsen, u dërgoi një mesazh të rinjve në Kosovë: “Unë shoh shumë përparim këtu dhe shpresoj që të rinjtë të kenë një të ardhme të shkëlqyeshme. Para jush janë shumë mundësi dhe shpresoj se do t’i shfrytëzoni ato”, tha Larsen. Të dy donacionet e përmendura tregojnë se KFOR-i vazhdon të jetë i përkushtuar në përpjekjet për të krijuar një të ardhme më të mirë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE