SI MUND TA MBROJNË ADOLESHENTË SHËNDETIN E TYRE MENDOR GJATË PANDEMISË COVID-19

Për adoleshentët vetë izolimi është posaçërisht i vështirë. Atyre iu mungojnë aktivitetet të cilat ishin pjesë e rëndësishme e përditshmërisë së tyre – shoqërimi me bashkëmoshatarët, kalimi i kohës bashkërisht në shkollë dhe jashtë saj… Sidoqoftë ekzistojnë disa strategji që mund t’ju ndihmojnë që ta kaloni ndjenjën e ankthit, izolimit, dëshpërimit. UNICEF ka biseduar me një prej eksperteve në fushën e psikologjisë së adoleshentëve Dr. Lisa Damour. Këto janë strategjitë që i ka përshkruar ajo:

 

NDJENJA E ANKTHIT ËSHTË TËRËSISHT NORMALE
Mbyllja e shkollave dhe tituj alarmues janë një kombinim që mund të shkaktojë ankth tek adoleshentët dhe jo vetëm tek ata. Dr. Damour, rikujtoi se rishtas psikologët e kanë vërtetuar se ankthi është një funksion i shëndetshëm dhe normal i cili na paralajmëron për rreziqet dhe na ndihmon në ndërmarrjen e masave mbrojtëse.

 

“Ankthi i juaj do t’ju ndihmojë në marrjen e vendimeve që duhet t’i merrni tani – që të mos rrini me njerëzit e tjerë apo në grupe të mëdha, që t’i pastroni duart dhe të mos e prekni fytyrën,” thotë Dr. Damour, sepse këto ndjenja ju ndihmojnë që të jeni të sigurt jo vetëm ju por, edhe të tjerët.

 

“Po ashtu, sigurohuni që të shfrytëzoni burime të besuara për informim apo për të verifikuar çfarëdo informacione që i merrni përmes kanaleve më pak të besueshme,” rekomandon Dr. Damour.

 

Nëse jeni të brengosur për të pasur simptoma, është me rëndësi që të bisedoni me prindërit për këtë dhe mbajeni në mend se sëmundja nga infeksioni COVID-19 është kryesisht e butë, posaçërisht për fëmijët dhe të rinjtë, dhe se shumë simptoma të COVID-19 mund të shërohen.

 

Bisedoni për ndjenjat e juaja me të rriturit: “Ka shumë gjëra efikase që mund t’i bëjmë për të mbrojtur veten dhe të tjerët dhe që t’i kontrollojmë më mirë rrethanat tona: t’i pastrojmë duart shpesh, të mos e prekim fytyrën dhe të mbajmë distancën shoqërore.”

 

“SHPËRQENDRIMET”
Psikologët e dinë se kur jemi në kushte të rënda kronike, është e dobishme që problemi të ndahet në dy kategori: gjërat të cilat mund t’i ndryshoni dhe gjërat që nuk mund t’i ndryshoni. Aktualisht, shumë gjëra bien në kategorinë e dytë dhe gjëja e vetme që mund të na ndihmojë që të përballemi me këtë është krijimi i “shpërqendrimeve”. Dr. Damour proposon që të gjeni baraspeshën duke i bërë detyrat e shtëpisë, të shikoni filmat e preferuar apo që të strukeni në shtrat me romanet e preferuara.

 

GJENI MËNYRA TË REJA PËR TË KONTAKTUAR ME MIQTË
Në rrethanat aktuale, kur duhet të respektoni distancën sociale, rrjetet sociale janë mënyrë e shkëlqyer për të mbajtur kontaktet. Sidoqoftë, Dr. Damour thekson se nuk është ide e mirë që adoleshentët të kenë qasje të papenguar në ekrane dhe rrjete sociale. “Kjo nuk është e shëndetshme, nuk është e zgjuar dhe mbase mund t’ua rris nivelin e ankthit,” shton ajo duke rekomanduar që prindërit të përfshihen në përcaktimin e orarit për kalimin e kohës në mënyra të ndryshme.

 

PËRQENDROHUNI TE VETVETJA
Përqendrohuni te vetvetja dhe në gjetjen e mënyrave për ta shfrytëzuar kohën tuaj të lirë në mënyrë produktive. Për shembull, bëjeni një listë të gjitha librave që dëshironi t’i lexoni dhe të gjërave që doni t’i bëni.

 

VËZHGONI NDJENJAT E JUAJA PERSONALE
Mungesa e aktiviteteve me shokë, hobive apo ndeshjeve sportive është tejet dëshpëruese për adoleshentët në veçanti. Mënyra më e mirë për ta larguar këtë dëshpërim është që t’ia lejoni vetes edhe këtë ndjenjë. Mënyra se si përballeni me ndjenjat e juaja varet nga personi në person.

“Disa fëmijë do të krijojnë art, të tjerët do të bisedojnë me shokët dhe do të shfrytëzojnë pikëllimin e përbashkët si mënyrë për t’u ndjerë të lidhur gjatë kësaj kohe kur nuk mund të jenë me të vërtetë bashkë, kurse disa fëmijë gjejnë mënyra për të dhuruar ushqime për bankat e ushqimeve (organizatat bamirëse që shpërndajnë ushqime),”thotë Dr. Damour. Ajo që ka rëndësi është që të bëni atë që ju përshtatet juve.

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE