Gejzeri më i famshëm në Islandë njihet si ‘Strokkur’ (Strokur). Ai gjendet në zonën gjeotermale të Haukadalur, në pjesën jugperëndimore të këtij vendi, në afërsi të shtegut të famshëm turistik ‘Golden Circle’ (Rrethi i Artë).
Strokur njihet për shpërthimet e tij të shpeshta dhe mbresëlënëse. Ai shpërthen mesatarisht çdo 6 deri në 10 minuta, duke nxjerrë jashtë ujë të vluar dhe avull deri në 40 metra lartësi. Ky tipar e bën atë një prej gejzerëve më aktiv në botë.
Shpërthimet e parashikueshme ia japin famën
Shpërthimet e Strokur janë tej mase të parashikueshme, duke e bërë atë një atraksion të njohur për vizitorët në Islandë. Njerëzit grumbullohen rreth këtij gejzeri për t’i parë shpërthimet e fuqishme dhe për t’i incizuar ato me kamerat apo telefonat e tyre. Zona përreth Strokur karakterizohet nga burime të ngrohta me ngjyra të larmishme dhe të pasura me minerale, fumarola me avull, dhe dukuri të tjera gjeotermale, të cilat vetëm sa ia shtojnë bukurinë.

Gjigandi i harruar
Vlen të përmendet që Strokur nuk është gejzeri më i madh në Islandë. Në fakt, ai që njihet si ‘Gejzeri i Madh’, prej të cilit edhe është përhapur fjala gejzer nëpër botë, për shumë kohë ishte gejzeri më i madh dhe më i famshëm në Islandë. Sidoqoftë, përgjatë viteve aktiviteti i tij ka rënë dhe tani ai shpërthen vetëm sporadikisht. Rrjedhimisht, Strokur e ka kaluar atë si atraksioni kryesor në zonën gjeotermale të Haukadalur.



