TË MËSOJMË SI TA KURSEJMË ENERGJINË ELEKTRIKE!

 

Me siguri se të gjithë e kanë dëgjuar fjalinë: “Fikeni dritën kur dilni nga dhoma/shtëpia, për mos ta çuar dëm energjinë elektrike”. Këtë dimër e dëgjojmë atë fjali më shpesh sesa më parë, dhe arsyeja është mungesa globale e burimeve të energjisë. Kosova nuk bën përjashtim, prandaj është shumë e rëndësishme që ta kuptojmë se të gjithë po përballemi me një krizë energjetike dhe se është e nevojshme që t’i ndryshojmë zakonet dhe të fillojmë ta kursejmë energjinë elektrike. Ka shumë mënyra, por jo të gjitha e kanë të njëjtin efekt. Në këtë edicion, Revista 4You u siguron një udhëzues të gjithëve që duan të kursejnë, por nuk janë të sigurt nga t’ia nisin!

 

Jeta në krizën aktuale energjetike, kur çmimet janë rritur pamasë, kërkon që të gjithë banorët, përfshirë juve të rinjve, të jeni më racional gjatë konsumit të energjisë. Prandaj, si institucionet vendore ashtu edhe organizatat ndërkombëtare kanë qenë të zëshme me rekomandimet e tyre për kursimin e energjisë elektrike. Me këtë në mendje, ne po i paraqesim disa këshilla.

 

“Thani rrobat në ajër, jo në tharëse!

Nxirrni karikuesit nga priza kur janë në përdorim! Fikeni kompjuterin kur nuk e përdorni!”

Pavarësisht nga fakti se të gjitha këto aktivitete rezultojnë në mënyrë kumulative në konsum më të ulët të energjisë, dhe rrjedhimisht në kosto më të ulëta shtëpiake, disa udhëzime bëjnë ndryshim më të madh. Prandaj, duhet të fillojmë t’i kushtojmë më shumë vëmendje udhëzimeve dhe këshillave që janë më efektive dhe t’i zbatojmë ato.

 

Bojleri i ujit (nuk) duhet të jetë i ndezur gjatë gjithë kohës!

Hidraulikët thonë se nuk ka nevojë që bojleri të jetë vazhdimisht i ndezur. Bojlerët mund të ndizen gjatë natës kur energjia elektrike është më e lirë, duke pasur parasysh se bojlerët modern e mbajnë temperaturën relativisht stabile, falë izolimit. Gjithashtu, kur bëhet fjalë për parametrat, duhet ta vendosni ngrohësin e ujit në temperaturë deri në 60 °C.

 

Kursimet në kuzhinë

Nëse gatuani mesatarisht për rreth një orë e gjysmë çdo ditë, kjo është afërsisht 60 kilovat/orë, që është rreth 15% e konsumit në një amvisëri mesatare. Ka shumë mënyra për ta zvogëluar konsumin, nga përdorimi i tenxheres me presion, e deri tek përdorimi i tiganit me madhësinë e përshtatshme. Kur e zieni gjellën, mos përdorni enë, fundi i të cilave është më i vogël sesa sipërfaqja e pllakës së shporetit të rrymës. Nëse jeni duke përgatitur gjellë të lëngshme, uleni temperaturën sapo të vlojë uji.

 

Ndriçimi është i rëndësishëm

Në kohën kur njerëzit zakonisht kthehen nga puna dhe ndezin dritat në shtëpi, do të ishte ideale të mos e ndizni rrobalarësen dhe enëlarësen, si dhe shporetin dhe shpenzuesit tjerë të mëdhenj, përveç rasteve kur është absolutisht e nevojshme. “Shtyni gjithçka që mund të shtyni për më vonë”. Mund ta zvogëloni presionin në rrjetin elektrik, dhe rrjedhimisht presionin në kuletën tuaj, duke zëvendësuar llambat e zakonshme me drita LED, të cilat konsumojnë dukshëm më pak energji.

 

Pas krizës energjetike që e preku Kosovën dhe botën për shkak të rritjes së çmimeve, Qeveria e Kosovës publikoi një manual për kursimin e energjisë elektrike. Edhe Kompania për Distribuimin e Energjisë në Kosovë (KEDS) u bën thirrje qytetarëve që pothuajse çdo ditë ta kursejnë energjinë elektrike, sidomos gjatë stinës së dimrit. Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala ka ndarë disa këshilla për kursimin e energjisë elektrike, disa prej të cilave janë:

 

  • Një mënyrë për ta kursyer energjinë elektrike është përdorimi i shpenzuesve të mëdhenj gjatë natës, kur tarifa është më e ulët.
  • Nëse keni vendosur që të blini enëlarëse, rrobalarëse apo tharëse të re, fokusohuni te cilësia më e lartë dhe produktet më ekonomike. Shikoni udhëzimet e prodhuesit që përmbajnë përshkrimin e veçorive kryesore dhe më pas vendosni se cila është më ekonomike.
  • Bojleri në shtëpitë tona konsumon 30 deri në 50% të faturës mujore gjatë stinës së verës, dhe 40 deri në 60% gjatë stinës së dimrit. Këshillohet që ta lini ngrohësin e ujit ndezur gjatë natës, pra pas orës 22:00.
  • Zgjidhni llambat e duhura. Llambat LED janë më efikase. Ato konsumojnë 75% më pak energji elektrike. Mënyra më e mirë për të filluar me kursimin e energjisë elektrike është që t’i fikni dritat në dhomat që nuk i përdorni.
PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE