TË SHTËNAT FESTIVE NJË AKT I PAMATUR DHE I RREZIKSHËM

 

Të shtënat festive – akti i pamatur i gjuajtjes me armë në ajër gjatë ahengjeve – mund të duket si një aktivitet argëtues dhe i padëmshëm, por shpesh përfundon me pasoja të rënda. Njerëzit janë plagosur rëndë por ka edhe raste me fatalitet si pasojë e përdorimit të pamatur të armëve të zjarrit.

 

Të shtënat në publik janë të kundërligjshme

Të shtënat festive mund të jenë pjesë e traditave të vjetra, sikurse edhe shumë veprime të tjera që sot i konsiderojmë thjesht absurde dhe si të tilla askush nuk i përsërit. Për më tepër, ligji në Kosovë e thotë qartë se posedimi apo përdorimi i armës së zjarrit pa leje në çfarëdo rrethane, është i kundërligjshëm. Përveç pasojave ligjore, gjuajtja me armë në publik është e papërgjegjshme dhe mund të ketë pasoja të rënda që mund të çojnë në lëndimin apo vdekjen e njerëzve përreth.

 

Numrat kanë rënë, por fenomeni është ende i pranishëm

Majori Baki Kelani, shef i Zyrës për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun në Policinë e Kosovës (PK), theksoi se ndër vite, PK-ja është angazhuar në mënyrë aktive dhe ka bërë përparim të konsiderueshëm në uljen e numrit të incidenteve me të shtëna festive. Për këtë qëllim, ata zhvillojnë fushata sensibilizuese, video fushata dhe ligjërata nëpër shkolla të niveleve të ndryshme, si dhe zhvillojnë aktivitete policore me komunitetin. Këtë e ka konfirmuar edhe zyrtarja e PK-së, Biljana Bogdanoviç, e cila u ka bërë thirrje qytetarëve në Kosovë që të përmbahen nga të shtënat festive, pasi që është një akt i rrezikshëm që mund ta kthejë gëzimin në trishtim sa çel e mbyll sytë.

 

Në aspektin më pozitiv, majori Kelani theksoi se lajmi më i mirë është se të rinjtë shpesh kanë qëndrim pozitiv rreth çrrënjosjes së kësaj dukurie dhe shpeshherë bashkëpunojnë me policinë për t’i parandaluar këto veprime të papërgjegjshme dhe të kundërligjshme. “PK-ja e ka bërë prioritet rritjen e efikasitetit në ruajtjen e sigurisë publike, parandalimin, hetimin dhe zbulimin e krimit, si dhe kontrollin kufitar. Si pjesë e këtij objektivi, PK-ja ka vënë theks të madh në parandalimin e posedimit dhe përdorimit të armëve të zjarrit. Nëpërmjet planeve dhe veprimeve tona operative, policia ka sekuestruar ndër vite mijëra armë dhe municione pa leje të kalibrave të ndryshëm. Kjo ka ndihmuar në uljen e ndjeshme të përdorimit të armëve të zjarrit në ceremonitë festive, ahengje dhe dasma”, shtoi majori Kelani.

 

Vëmendje e veçantë gjatë verës

Gjithashtu, majori Kelani theksoi se gjatë sezonit veror, kur ahengjet mbahen më së shumti, Policia e Kosovës ka plane konkrete për t’a trajtuar këtë fenomen. “Urdhrat operativ parashikojnë veprime specifike që duhet të ndërmerren në terren në viset ku mund të zhvillohen ceremonitë festive, me qëllim të parandalimit të aktiviteteve të tilla. Personat që bashkëpunojnë me policinë luajnë një rol thelbësor në parandalimin e këtij fenomeni dhe ofrimin e një sigurie më të madhe për komunitetin”, tha majori Kelani. Ai shtoi se PK-ja e ka bërë të qartë se ka zero tolerancë ndaj këtij aktiviteti të kundërligjshëm.

 

Në fund, majori Kelani dha mesazhin e mëposhtëm për publikun: “Të dashur qytetarë në Kosovë. Ju bëj thirrje që mos të festoni me armë të zjarrit, por me zemër. Përdorimi i armëve të zjarrit jo vetëm që është i kundërligjshëm, por e rrezikon jetën e njerëzve tuaj më të dashur. PK është e përkushtuar për parandalimin e kësaj dukurie të rrezikshme. Duhet ta keni parasysh se festa juaj do të ndërpritet nëse dikush qëllon me armë. Të festojmë me përgjegjësi dhe ta mbajmë komunitetin tonë të sigurt. Pra, festoni me zemër e jo me armë”.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE