TOGO DHE BALTO: DY HERONJTË E ALASKËS

 

Historia e shpëtimit të jetëve të banorëve në qytetin Nome të Alaskës në vitin 1925 është e lidhur ngushtë me dy qenë të shquar: Togo dhe Balto. Këta dy heronj të pashoq, të racës Haski (Husky) të Siberisë, kanë mbetur në kujtesën kolektive për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm dhe guximin që e treguan gjatë kësaj ekspedite jetëshpëtuese.

 

Togo ishte një drejtues i fortë dhe inteligjent i ekipit të parë të qenve tërheqës të sajave, i përbërë nga 20 qenë, që e filluan misionin për të transportuar antitoksinat kundër difterisë në qytetin Nome. Ai ishte i njohur për aftësinë e tij të shkëlqyeshme drejtuese dhe rezistencën e tij të madhe në kushtet më të vështira të Alaskës së ftohtë.

 

Gjatë udhëtimit të tij, Togo dhe ekipi i tij përballuan sfida të mëdha. Ata udhëtuan rreth 564 kilometra nëpër terrenin e vështirë të Alaskës, duke kaluar nëpër borë të thellë, akullnaja dhe erëra të forta. Përpara tyre ishte një udhëtim i rrezikshëm, por Togo vazhdoi dhe e drejtoi ekipin me guxim dhe vendosmëri.

 

Edhe pse Togo nuk e përfundoi udhëtimin e tij deri në qytetin Nome, kontributi i tij ishte i jashtëzakonshëm. Ai e udhëhoqi ekipin në etapa të vështira të rrugës, duke kaluar nëpër shkëmbinj dhe akull, duke treguar aftësinë e tij të jashtëzakonshme të orientimit dhe inteligjencën e tij në lidhje me terrenin.

 

Udhëtimi u përfundua nga Balto

Pas kryerjes së një pjese të madhe të udhëtimit, ekipi i Togos ia dorëzoi antitoksinat e nevojshme ekipit të Baltos për të përfunduar detyrën e tyre heroike. Por, kjo nuk ia uli vlerën dhe ndikimin Togos në historinë e shpëtimit të jetëve në Alaskë. Përkundrazi, aftësitë dhe trimëria e të dy këtyre qenve vazhdojnë që të nderohen dhe admirohen edhe sot e kësaj dite.

 

Sa i përket Baltos, mund të thuhet që fati e donte që ai të bëhej më i njohur, pasi që ai e mori drejtimin e ekipit të fundit të qenve tërheqës të sajave dhe të arrinte në qytetin Nome duke e përfunduar pjesën e fundit të udhëtimit rreth 90 kilometra të gjatë, për transportimin e antitoksinave. Duke qenë se gazetat e kohës raportuan vetëm për suksesin e Baltos, ishte ai që e mori gjithë famën. Rrjedhimisht, atij iu ngrit një statujë në Parkun Qendror (Central Park) të qytetit të Nju Jorkut.

 

Gjithsesi, kjo nuk do të thotë që Togo u harrua. Edhe pse u desh pak kohë, në vitin 2020 në parkun Parkun Suard (Seward Park) në Nju Jork, në afërsi të Parkut Qendror, u përurua edhe statuja e Togos. Po ashtu, pronari dhe drejtuesi i tij Leonhard Seppala arriti që të krijonte linjën e qenve që rrjedh drejtpërdrejt nga Togo, e cila njihet si Qentë Siberian të Sajave të Sepalas.

 

Me përpjekje të përbashkëta, mund të realizohen gjëra të mëdha

Dy qentë, Togo dhe Balto, së bashku e simbolizojnë përkushtimin dhe aftësinë e qenve për të shpëtuar jetët e njerëzve. Po ashtu, historia e Togos dhe Baltos na e kujton se edhe në kushte të vështira dhe sfida të mëdha, guximi dhe përpjekja mund të sjellin shpërblime të mëdha. Këta dy qenë heroikë kanë mbetur shembuj frymëzimi për brezat e ardhshëm. Ata e simbolizojnë fuqinë dhe vendosmërinë që të gjithë ne mund ta tregojmë në përballje me vështirësitë e jetës.

PDF Magazine

Qershor

READ MORE

NEW MAGAZINE