UDHËZUES PËR PRINDËRIT ME FËMIJË TË VEGJËL

Ngjarjet e fundit si pasojë e pandemisë së korona virusit (COVID-19), kanë ndryshuar realitetin e jetës së përditshme të shumë fëmijëve dhe prindërve. Pa dyshim, qëndrimi brenda është një ndryshim tejet i madh për fëmijët, të cilët mund ta kenë të vështirë të ndryshojnë ndjeshëm rutinën e tyre (p.sh. mbyllja e shkollave dhe strukturave të kujdesit për fëmijët, distancimi social, izolimi në shtëpi, etj.), të cilat mund të cenojnë ndjesinë e tyre të strukturimit, parashikueshmërisë dhe sigurisë. Izolimi në shtëpi, mungesa e kontaktit dhe e argëtimit me bashkëmoshatarët e tyre, nxit ankthin te fëmijët. Për këtë arsye, UNICEF ka dalë me një udhëzues i cili mund t’i ndihmojë prindërit që të planifikojnë dhe krijojnë disa ide mbi mënyrën se si të organizojnë kohën, si të bisedojnë me fëmijët, si dhe si t’i ndihmojnë që të zhvillohen edhe në këto rrethana. Në vijim mund t’i gjeni disa prej këtyre pikave që mund t’i zbatoni edhe ju.

 

Krijoni dhe ndiqni rutinat e përditshme

Krijoni një program ditor me fëmijën tuaj. Hartoni së bashku pjesët e programit dhe përcaktoni orarin gjatë të cilit do të zhvillohet çdo aktivitet;
Përfshini fëmijët në punë dhe aktivitete të përditshme shtëpiake duke përcaktuar detyrën ose rolin e tyre specifik (shtrimi i tavolinës, ujitja e luleve, palosja e rrobave të lara etj.); dhe
Përpiquni të ndiqni program të rregullt pasi që i ndihmon të vegjlit të ndihen të sigurt dhe të mbrojtur.

 

Gjeni ide për lojëra dhe aktiviteteve të të nxënit

Bëni një listë me aktivitete në ambiente të brendshme dhe përfshijuni edhe ju në to; p.sh. vallëzim, joga, ndërtimi i fortesave me jastëkë dhe kuti, vizatim, lexim, etj.;
Lejojuni fëmijëve tuaj të zgjedhin aktivitetet që dëshirojnë të zhvillojnë dhe mos harroni se kohëzgjatja e përqendrimit të tyre është e shkurtër dhe mund ta humbasin shpejt interesin;
Për fëmijët e moshës parashkollore nuk është më e rëndësishme zhvillimi i aftësive akademike, por ruajtja e një ambienti pozitiv dhe argëtues për të nxënit.
Përvojat e këndshme, të tilla si të lexuarit së bashku, tregimi i përrallave dhe lojërat, janë mënyra argëtuese për të siguruar vazhdimësinë e të nxënit pa i stresuar fëmijët së tepërmi.

 

Koha dhe përmbajtja e duhur e mjeteve të komunikimit

Mbrojini fëmijët nga programe televizive/përmbajtje të papërshtatshme, të cilat mund t’iu sjellin shqetësim ose ankth. Kufizoni numrin e lajmeve rreth COVID-19 që i shikoni, në veçanti përpara fëmijëve të vegjël. Mos supozoni se ata nuk janë duke dëgjuar edhe nëse nuk po i ndjekin në mënyrë aktive;
Përcaktoni kohën që fëmija juaj mund të shpenzojë përpara ekranit, parashikojeni në programin ditor dhe sigurohuni që përmbajtja të jetë e përshtatshme;
Fëmijët mund të mësojnë më mirë përmes ndërveprimit me njerëzit; shikoni emisione së bashku dhe diskutoni rreth përmbajtjes; dhe
Përdorni teknologjinë për të kompensuar distancimin social (Skype, Zoom, Whatsapp) dhe kontaktoni me miqtë dhe familjen.

 

 

Praktikoni qasje pozitive të prindërimit

Izolimi i zgjatur në shtëpi ju jep mundësinë të forconi lidhjet me fëmijën tuaj përmes aktiviteteve dhe kohës së kaluar së bashku;
Kini parasysh, se kjo situatë është njëlloj e vështirë për fëmijët dhe se ata reagojnë sipas moshës dhe nivelit të tyre të zhvillimit;
Kushtojini kohë partnerit/partneres, mbështeteni njëri-tjetrin dhe bëhuni modeli i sjelljes për fëmijët tuaj; dhe
Në rast të sjelljeve të padëshiruara, zbatoni metodat jo të dhunshme të disiplinës (tërheqja e vëmendjes, përqendrimi te gjërat pozitive, ristrukturimi i ambientit, ndërprerja e aktivitetit të dëshiruar, shpërblimi i sjelljes pozitive etj.).

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE