VPN-të DHE SIGURIA KIBERNETIKE

Në artikullin tonë për sigurinë kibernetike, të cilin mund ta gjeni këtu, ndër temat që i diskutuam janë VPN-të dhe rëndësia e tyre për ta rritur sigurinë kibernetike. Duke e marrë parasysh se ka shumë ofrues të shërbimeve VPN si dhe faktin që shumë prej jush nuk e kuptojnë se çka është shërbimi VPN, kemi vendosur që këtë muaj kolonën HI-TECH t’ia kushtojmë kësaj teme.

 

Çka është VPN?

Ashtu siç adresa e shtëpisë përdoret për ta gjetur një person kudo në botë, IP adresa publike përdoret për ta lokalizuar dikë në botën digjitale dhe kjo është ajo që e bëjnë shumica e kriminelëve në internet. Sidoqoftë, duke përdorur shërbimin VPN, ju e shtoni një shtresë sigurie sepse ju jep privatësi dhe anonimitet në internet duke krijuar një rrjet privat nga lidhja publike në internet. VPN është akronimi për “Rrjet Virtual Privat” dhe përkufizimi i tij është si vijon:

 

“VPN e zgjeron rrjetin privat në rrjetin publik dhe u mundëson përdoruesve që të dërgojnë dhe të marrin të dhëna nëpër rrjete të përbashkëta ose publike sikurse pajisjet e tyre kompjuterike të ishin drejtpërdrejt të lidhura në rrjetin privat”. Me fjalë të tjera, VPN ju mundëson që ta krijoni një lidhje të sigurt (tunel) me një kompjuter ose rrjet tjetër përmes internetit.

 

Cili shërbim VPN është më i miri për ju?

Gjëja e parë që na vjen ndërmend kur duam ta zgjedhim një shërbim VPN është sa kushton. Shërbimi më i paguar VPN pa dyshim është ExpressVPN, por pengesa e vetme është çmimi i tij. Express VPN është ndoshta VPN më i shtrenjtë në treg. Lajmi i mirë megjithatë është se ka

disa shërbime VPN krejtësisht falas që ju mund t’i shkarkoni dhe përdorni dhe nëse doni më shumë, çmimet e abonimit me pagesë janë mjaft të arsyeshme. Më poshtë po i prezantojmë tri shërbimet VPN më të mira falas.

 

ProtonVPN Free

Versioni falas i ProtonVPN është kualifikuar si VPN i mirë pasi që është i sigurt për përdorim, aplikacionet janë me burim të hapur dhe vjen pa kufizim të të dhënave. Do të thotë se ju mund ta lini ndezur gjatë gjithë kohës pa u brengosur se do e mbërrini kufirin. Kjo e bën ProtonVPN një nga VPN-të më të mira falas në treg. Pengesa e ProtonVPN Free është se ju kufizon në vetëm tre lokacione të serverit, duke rezultuar në shpejtësi më të ngadaltë dhe ndërprerje të kohëpaskohshme të lidhjes.

 

Windscribe VPN free

Windscribe e ka një plan gjithëpërfshirës falas. Ai përfshinë qasje në serverë me përhapje të gjerë në 11 shtete, deri në 10 GB të dhëna (megjithëse kjo bie në 2 GB nëse nuk regjistroheni me një adresë të vlefshme të emailit) dhe lidhje të pakufizuara. Për të përfituar sa më shumë nga shërbimi dhe për qasje në të gjitha tiparet e disponueshme, duhet ta zgjidhni një plan me pagesë.

 

Hotspot Shield Free VPN

Versioni premium i Hotspot Shield zë vend në mesin e shërbimeve më të mira të paguara në internet, kështu që nuk është për t’u habitur që shumica e specialistëve e rendisin versionin e tij falas midis shërbimeve më të mira falas VPN. Sidoqoftë, versioni falas vjen me kufizime të caktuara (vetëm 500 MB në ditë), një lidhje të njëkohshme dhe qasje vetëm në serverat amerikanë. Përdoruesit e versionit falas në celular kanë kufizim prej 2Mbps dhe shohin reklama në aplikacion. Abonentët falas në macOS nuk kanë asnjë kufizim në sasinë e të dhënave. Modeli falas është bujar por i ndërlikuar.

 

Sigurisht, ka shumë shërbime VPN tjera falas ose me pagesë të cilat mund t’i përdorni varësisht se çka ju nevojitet dhe çka mund të ofrojnë si shërbime falas. E tëra që ju duhet të bëni është një hulumtim dhe testim i vogël për të parë se cili opsion i përshtatet më mirë nevojave dhe financave tuaja. Ju ftojmë të na tregoni në komente se cili ju ka pëlqyer më shumë.

PDF Magazine

Mars

READ MORE

NEW MAGAZINE