XHAKETA TË DIMRIT PËR SEZONIN E FESTAVE

Nëse kërkoni në Internet në lidhje me traditën për dhurata, do të zbuloni se kjo është një traditë pothuajse aq e vjetër sa vetë njerëzimi. Kjo ndoshta lidhet me faktin se ka shumë pak gjëra ose veprime të tjera që na bëjnë të ndjehemi mirë sikurse kur japim ose marrim dhurata; sepse ky është një veprim aq i ndërlikuar sa natyra njerëzore. Para së gjithash, dhurata jonë për dikë tregon se sa kujdesemi për pranuesin e synuar. Sidoqoftë, dhurata gjithashtu thotë shumë edhe për ne. Kur japim, tregojmë aftësinë tonë për të ndjerë me njerëzit e tjerë dhe vështirësitë e tyre, por gjithashtu tregon edhe bujarinë tonë. Ndoshta kjo shpjegon faktin se dhurimi i dhuratave është një traditë shumë e zakonshme që praktikohet në të gjithë botën në periudha të ndryshme të vitit ose për raste të veçanta. Një fakt i vazhdueshëm në lidhje me dhuratat është se pavarësisht nga forma, madhësia apo vlera e tyre, dhurimi do të jetë gjithmonë mënyra më e mirë për të përhapur dashurinë dhe gëzimin tonë.

150 xhaketa për fëmijë falë DanCon marshit
Kohëve të fundit, ekipi ynë pati mundësinë të jetë dëshmitarë edhe një herë i se çfarë fuqie ka dhënia e dhuratave. Pak para fundit të vitit 2019, Kontigjenti danez në kuadër të KFOR-it, me ndihmën e kolegëve të tyre nga kombet e tjera që shërbejnë gjithashtu në KFOR, bleu rreth 150 xhaketa dimri që u shpërndanë fëmijëve të kombësive dhe moshave të ndryshme që jetojnë në zonën e komunës së Vushtrrisë. Fondet për blerjen e xhaketave janë marrë nga dy raste të Marshit tradicional DanCon të organizuar në 22 shtator dhe 13 tetor 2019. Marshimi DanCon organizohet në të gjithë botën, ku është i vendosur kontigjenti danez. Në Kosovë është planifikuar dhe realizuar nga detashmenti rojeve daneze në bazën e KFOR-it në Novosello, komuna e Vushtrrisë. Gjysma e parave të mbledhura nga marshimi u dedikohen veteranëve danezë dhe gjysma tjetër i dedikohet Projekteve të CIMIC-ut në Kosovë.

Dhuratat vlerësohen mirë nga fëmijët dhe familjet e tyre
Për t’u siguruar që dhuratat (xhaketat) do të shkonin tek fëmijët më në nevojë, ato u shpërndanë nëpër shkolla. Shkolla e parë që përfitoi ishte shkolla fillore në fshatin Studime e Epërme dhe në këtë aktivitet mori pjesë edhe zt. Afrim Namani, drejtori komunal i arsimit, i cili me këtë rast tha: “Ishte kënaqësi për mua që isha sot këtu për të dëshmuar gëzimin e këtyre fëmijëve që morën xhaketa dimri nga ushtarët e KFOR-it. Dua të falënderoj KFOR-in për të gjitha përpjekjet e tyre jo vetëm me veprime të tilla të drejtpërdrejta të ndihmës, por edhe për përpjekjet e tyre paqeruajtëse dhe sigurimin e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”. Zt. Bejtullah Gërguri, përfaqësuesi i fshatit ishte gjithashtu i pranishëm në këtë ngjarje dhe ai theksoi se ky veprim është shumë i rëndësishëm dhe i vlerësuar për familjet në këtë fshat për shkak të papunësisë së lartë me të cilën përballen.

Xhaketa iu dhuruan edhe shkollës “Sveti Sava” në Grace
Falë KFOR-it dhe DanCon marshit, gjithsej 18 xhaketa iu dhuruan shkollës së vogël fillore “Sveti Sava” në fshatin Grace, afër Vushtrrisë. Radojka Markoviç, drejtoreshë e shkollës tha se xhaketat e dhuruara, plotësojnë një nga nevojat për shumë nxënës. Ajo gjithashtu theksoi se këto dhurata janë prova që kjo shkollë nuk është harruar. “Ne dëshirojmë të falënderojmë KFOR-in për dhurimet e tyre për shkollën tonë. Faleminderit shumë; ne i vlerësojmë shumë dhuratat tuaja. Duke u futur në muajt e ftohtë të dimrit, ne e dimë se këto sende do t’i ndihmojnë fëmijët në komunitetin tonë të përqendrohen në mësim dhe lojëra, në vend se të përpiqen të qëndrojnë të ngrohtë”.

Jam shumë mirënjohës që jam në gjendje të përfaqësoj Danimarkën dhe të nderoj këtë ngjarje
Në lidhje me këtë dhurim, Glen Poulsen, nga kontigjenti danez tha: “Kontigjenti danez është i lumtur që aq shumë ushtarë të KFOR u bashkuan në marshin DanCon për të mbledhur para për veteranët danezë dhe Projektet CIMIC në KOSOVË. Shpresojmë që dhurimi i këtyre xhaketave të dimrit të ndihmojë fëmijët që kanë nevojë për to. Ne kemi bërë shumë përpjekje për të organizuar Marshin DanCon dhe jam shumë mirënjohës që jam në gjendje të përfaqësoj Danimarkën dhe ta nderoj këtë ngjarje. Shpresoj se shumë njerëz në të ardhmen gjithashtu do të kenë mundësinë ta provojnë këtë ngjarje”.

 

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE