ZOTOHEN 7.4 MILIARDË PËR LUFTËN KUNDËR COVID-19

Teksa në tërë botën janë duke vazhduar përpjekjet për të luftuar përhapjen e COVID-19, më 4 maj 2020, BE-ja e organizoi një samit online në të cilin morën pjesë 40 shtete dhe donatorë. Ky samit ishte një maratonë globale për zotimin e përkrahjes për Përgjigjen Globale kundër Koronavirusit (Coronavirus Global Response), synimi i së cilës ishte sigurimi i 7,5 miliardë eurove për financimin e zhvillimit urgjent të një vaksine kundër COVID-19.

 

Gjatë këtij aktiviteti, udhëheqësit nga tërë BE-ja dhe shumë vende të tjera, duke e përfshirë Arabinë Saudite, Japoninë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Australinë, i zotuan 7,4 miliardë euro. Këto fonde do të shërbejnë për të mbështetur Koalicionin për Inovacione për Gatishmëri për Epidemi (CEPI – Coalition for Epidemic Preparedness Innovations), GAVI – Aleancën për Vaksina, dhe OBSH-në (Organizatën Botërore të Shëndetësisë).

 

Përmes këtij fondi, do të sigurohet bashkëpunimi për zhvillimin dhe shpërndarjen universale të diagnostikimeve, trajtimeve dhe vaksinave kundër koronavirusit. “Më shumë do të nevojitet – sot është vetëm fillimi i maratonës globale për zotim për të sjellë nën një kulm të gjitha organizatat globale shëndetësore për të luftuar pandeminë,” tha Ursula von der Leyen, nikoqirja dhe Kryetarja e Komisionit Evropian.

 

Ndër dhuruesit më të mëdhenj ishin Komisioni Evropian me 1 miliardë euro në formën e granteve dhe 400 milionë si garanci dhe hua, Japonia me mbi € 730 milionë, Gjermania me € 525 milionë, Franca me € 500 milionë, Mbretëria e Bashkuar € 441 milionë, Spanja dhe Italia me nga € 100 milionë secila.

 

Në një deklaratë udhëheqësit pjesëmarrës në këtë samit shkruan: “Nëse ia dalim që të zhvillojmë një vaksinë të prodhuar nga e tërë bota, për tërë botën, kjo do të jetë një e mirë unike globale publike për shekullin e 21-të. Së bashku me partnerët tanë, ne zotohemi që ta bëjmë atë të disponueshme, të qasshme dhe të përballueshme për të gjithë.”

 

Ky fond do të shfrytëzohet për tri qëllime kryesore:
• Testim – nevojiten teste të reja lehtë të qasshme për diagnostikimin e shpejtë të sëmundjes
• Trajtim – nevojiten trajtime të reja për të minimizuar simptomat në mënyrë që sa më pak njerëz të shkojnë në spital
• Parandalim – nevojitet një vaksinë për të parandaluar kthimin e sëmundjes dhe për të lejuar kthimin e jetës në normalitet.

 

Nënshkruesit ishin: Charles Michel, Kryetari i Këshillit të Evropës; Ursula von der Leyen, Kryetare e Komisionit Evropian; Giuseppe Conte, Kryeministri i Italisë; Emmanuel Macron, Kryetari i Francës; Angela Merkel, Kancelarja e Gjermanisë; Erna Solberg, Kryeministre e Norvegjisë.

PDF Magazine

Prill

READ MORE

NEW MAGAZINE