Përkundër famës dhe arritjeve të saj të shumta, Ambra Hysa mbetet një vajzë modeste, shumë punëtore dhe e vendosur që ta jetojë jetën e saj personale dhe profesionale pa asnjë peng. Për këtë arsye, ajo nuk heziton që ta provojë veten, me mjaft sukses, në fusha të ndryshme (ekonomi-financa, shkrime dhe krijimin e kapelave). Ndonëse në shikim të parë këto fusha nuk duken se kanë ndonjë gjë të përbashkët, në rastin e saj e përbashkëta e këtyre profesioneve është vet Ambra, e cila thotë që ato janë pjesë e saj dhe secili prej këtyre profesioneve e plotëson atë shpirtërisht dhe profesionalisht. Revista ‘4You Magazine’ e pati kënaqësinë që të zhvillonte një intervistë me Ambrën, të cilën ju ftojmë që ta lexoni në vijim.
Kush është Ambra Hysa?
Dua të jem pak e rezervuar kur flas për veten por më pëlqen të më njohin si vajza që punoj fort për t’i realizuar të gjitha pasionet dhe ëndrrat e mia. Jetën time e kam të mbështetur mbi pasion dhe dëshirë dhe dashurinë e kam udhëzuese në çdo hap.
Financiere, dizajnuese e kapelave dhe shkrimtare – si i pajtoni këto tri profesione?
Besoj se në një pikë të jetës, gjithçka lidhet. Unë studiova ekonomi-financë jo rastësisht. E kam një pasion për ekonominë dhe menaxhimin e biznesit, besoj në vlerat dhe benefitet e marketingut. I menaxhoj dy biznese dhe pjesa e shkrimit është natyrale, e brendshme, më buron në formë të pashtershme. Jeta më frymëzon, është rrugëtim shumë dimensionesh dhe më shijon, e dashuroj thellësisht dhe e jetoj si një formë të bukur arti. Të bukurën e shoh kudo dhe e bukura është pa diskutim art.
Cili nga këto tri profesione ju plotëson më shumë shpirtërisht?
Janë pjesë e imja. Janë Ambra, sepse Ambra është pak nga të gjitha. Ky është identiteti im. Të provoj , rrezikoj, të krijoj dhe të mësoj çdo ditë diçka të re. Po e jetoj veten time artistikisht dhe profesionalisht. Këto janë vitet e punës dhe krijimi i një identiteti profesional dhe artistik.
Publiku ju njeh më shumë për kapelat dhe shkrimet tuaja – a mund ta bëni një krahasim në mes të këtyre dy përvojave krijuese?
Të dyja janë dashuri shumë e madhe. Kapelat sepse e dua modën, më pëlqen të vishem me stil dhe bukur, më jep ndjesi pozitive, është magjepsje në vetvete. Stili unik krijohet me kapela dhe aksesorë, janë elemente tërheqëse, mistike, të guximshme, pasionante, është bukur t’i punosh, është kënaqësi më shumë se punë. Ndërsa librat janë dashuri mbi çdo dashuri… është vetja ime më e thellë në makinën e shkrimit. Aty, jetoj kushedi se sa jetë… Nën lëkurën e personazheve frymoj dhe guxoj t’i jetoj edhe njëqind jetë të tjera… nën petkun e shkrimtares, pas lëkurës së çdo personazhi.
Nëse do të mund të riktheheshit nga fillimi çka do të ndryshonit?
Nuk do të ndryshoja diçka. Unë jam natyrë shumë e matur, ndoshta do të dëshiroja të isha pak më e shpenguar dhe të jetoja momentin pa menduar shumë për atë që do të vijë…
Cila është këshilla më e mirë që ua kanë dhënë ndonjëherë?
BESO TEK VETJA!
Nga kush keni mësuar më së shumti?
Familja. Unë trajnohem vazhdimisht dhe më pëlqen të përqafoj çdo ditë mendësitë e reja. Por, vlerat ne i gdhendim dhe i marrim që në hapat e parë nga familja jonë. Edhe partneri është familje. Nga ai kam mësuar si të punoj fort dhe të jem gjithmonë e drejtë dhe empatike. Sidomos gjatë punës dhe komunikimit të përditshëm me klientë. Komunikimi është thelbësor për të krijuar një rrjet të mirë.
Telashi më i madh në të cilin jeni futur?
Nuk jam natyrë që futem në telashe sepse siç e thashë më përpara, më karakterizon maturia. Situata të pakëndshme kemi të gjithë por, nuk mund të kujtoj apo veçoj diçka serioze.
Një ditë e zakonshme në jetën e Ambrës?
Nis me zgjimin shumë herët, rreth orës 6:00. E shijoj lindjen e diellit, një mëngjes i ëmbël dhe plot dashuri. Kafe dhe një ëmbëlsirë e vogël. Më pas nisem për në universitet (sepse po e ndjek një universitet të dytë, dega Psikologji). Pasi përfundon leksioni për mua nis puna. E kam biznesin online me kapelet, biznesin familjar që e menaxhoj dhe punën në uebfaqe me revistat. Pasditja ime kalon duke punuar. Darkat me familjen, ose duke shkruar diçka, duke studiuar dhe duke u bërë gati për një ditë tjetër… plot frymëzime, ngjyra dhe punë të bukura.
Kapelat apo veprat e shkruara?
Nuk i veçoj dot… janë të dyja pjesë të pandashme të shpirtit tim.
Facebook, Instagram, Snapchat, WhatsApp, TikTok apo…?
Instagram dhe WhatsApp më shumë.
Telefonatat, posta elektronike (email), apo porositë (SMS)?
Të gjitha të nevojshme në momentet e caktuara.
A përdorni simbole (emoji) në komunikimin tuaj dhe cilat i përdorni më shpesh?
Patjetër që i përdor. Nuk kursehem në emojit që reflektojnë dashuri. “Sytë zemra” është emoji im i preferuar por, edhe ai i zemrës së kuqe.
A mund ta shkruani një porosi vetëm me simbole dhe të na e shpjegoni?
Unë kam shumë dashuri për ty… do e shkruaja kështu:
Porosia më e çuditshme, më qesharake dhe më e pavend që e keni pranuar nga ndokush?
Porosi të çuditshme ose ngatërresa qesharake… mund të kenë ndodhur por, nuk ka lënë vërtetë diçka shenjë në kujtesën time që vlen të përmendet…
Për çfarë keni dëshirë të mbaheni në mend më së shumti?
Për dashurinë dhe mirësinë e pakursyer të zemrës… Që kam lënë gjurmë në zemrën e njerëzve, kam dhuruar vetëm dashuri e mirësi dhe ia kam zbukuruar ditën dikujt të paktën një herë… Dua të lë pas vepra që do të lexohen, këndohen, shijohen dhe bëhen më të vlefshme sa më shumë koha kalon…
Pengu më i madh në jetën tuaj profesionale?
Po përpiqem t’i provoj të gjitha… dua të jetoj pa asnjë peng. Në fund dua të mendoj se nuk kam fjetur mbi pasionet apo dhuntitë e mia por, i kam jetuar ato.
Radhitni sipas rëndësisë: Puna, Talenti dhe Pasioni?
Lidhja e juaj me publikun në Kosovë?
Shumë e përzemërt gjithmonë. Marr dashuri të pastër dhe mbështetje pa kufij. Sa herë marrë ftesa për në Kosovë ndihem si në shtëpinë time.
Porosia e juaj për lexuesit tanë?
Ta duan jetën me të gjitha vështirësitë e saj. Asgjë nuk është perfekte, askush nuk është perfekt por, zemrat tona mund të jenë afër perfeksionit nëse i mbushim me dashuri dhe energji të pastër. Beso dhe ngrihu çdo ditë dhe jeto. Edhe në ditët e vështira… Jeta nuk ndodh rastësisht. Nuk besoj fare në rastësi. Ti duhet të shkëlqesh. Askush nuk të ka borxh asgjë. Askush nuk do të kujdeset për ty nëse ti nuk kujdesesh për veten. Prandaj ngrihu dhe mos u mendo më gjatë. Unë e di që ti mundesh. Jemi bashkë në gjithë këtë rrugëtim. Ma jep dorën, do t’ia dalim!