BAFTA – ÇMIMET PËR ARTIN E PAMJEVE TË LËVIZSHME

 

Çmimet BAFTA për filmin radhiten ndër çmimet më prestigjioze dhe më të vjetra në industrinë e filmit. Madje, për shumëkënd për nga rëndësia ato vijnë menjëherë pas çmimeve ‘Oscar’. Sidoqoftë, për dallim nga këto të fundit, lindja e çmimeve BAFTA ishte më shumë një proces i evoluimit.

 

Hapat e Parë – Akademia e Filmit Britanik

Gjithçka filloi më 16 prill 1947 kur një grup i regjisorëve më eminent në industrinë e filmit në Mbretërinë e Bashkuar, u mblodhën në një suitë në hotelin ‘Hyde Park’ dhe e themeluan Akademinë e Filmit Britanik. Qëllimi i tyre themelor ishte që të lavdëronin ata që kishin kontribuar me punë krijuese të jashtëzakonshme në avancimin e filmit britanik. Dy vjet më vonë në maj të vitit 1949 u organizua ceremonia e parë e ndarjes së çmimeve me ç’ rast u nderuan filmat “The Best Years of Our Lives”, “Odd Man Out” dhe “The World Is Rich”.

 

Shoqata e Artit të Filmit dhe Televizionit

Në vitin 1953, u krijua një tjetër organizatë e cila do të luante një rol të rëndësishëm në formësimin e çmimeve BAFTA. Emri i kësaj organizate ishte “The Guild of Television Producers and Directors” (Esnafi i Regjisorëve dhe Producentëve të Televizionit). Siç edhe kuptohet nga emri i kësaj organizate fokusi i saj ishte avancimi i programeve televizive dhe çmimet e para në këtë fushë u ndanë në ceremoninë që u organizua në tetor të vitit 1954. Kjo situatë zgjati deri në vitin 1958 kur këto dy organizata u shkrinë në një të vetme – Shoqatën e Artit të Filmit dhe Televizionit. Për më tepër, takimi inaugurues i kësaj organizate u mbajt në Pallatin Bakingam (Buckingham Palace) nën kryesimin e Dukës së Edinburgut, gjegjësisht Princit Filip (Prince Philip) bashkëshortit të Mbretëreshës Elizabetë.

 

British Academy of Film and Television Arts – BAFTA

Në mars të vitit 1976 Shoqata e Artit të Filmit dhe Televizionit i siguroi për vete hapësirat e Prince’s Hall (Sallës së Princit) në Piccadilly (një prej rrugëve më të famshme në Londër që nga mesjeta). Deri atëherë, këto hapësira kishin qenë në dispozicion të Institutit Mbretëror të Piktorëve me Ngjyra të Ujit. Hapjen zyrtare të zyrave të reja qendrore të kësaj organizate e bëri Mbretëresha Elizabetë, Duka i Edinburgut, Princesha Mbretërore (motra e Mbretëreshës Elizabetë) dhe Konti Mountbatten i Burmës. Me këtë rast, shoqata e mori emrin që e bart edhe sot e kësaj dite: British Academy of Film and Television Arts – BAFTA (Akademia Britanike e Arteve të Filmit dhe Televizionit).

 

Promovimi i Artit të Pamjeve të Lëvizshme

Falë këtij procesi të evoluimit, për dallim nga çmimet ‘Oscar” të cilat i dedikohen vetëm industrisë së filmit, sot çmimet BAFTA ndahen për të mbështetur dhe promovuar format e artit të pamjeve të lëvizshme, duke e identifikuar dhe shpërblyer përsosmërinë. Prandaj, çmimet BAFTA nuk ndahen vetëm për arritjet e veçanta në fushën e filmit por edhe në transmetimet televizive si dhe video lojëra.

 

Statuja e çmimeve BAFTA

Statuja e çmimeve BAFTA është një maskë teatrale, e cila është dizajnuar nga skulptorja amerikane Mitzi Cunliffe. Krijimi i kësaj statuje ikonë u porosit në vitin 1955 nga Andrew Miller-Jones nga Esnafi i Regjisorëve dhe Producentëve të Televizionit. Në anën e pasme të statujës pranë njërit sy është gdhendur simboli i transmetimeve televizive dhe pranë tjetrit simboli i ekranit, të cilat i simbolizojnë produksionet dramatike dhe teknologjinë televizive. Statuja qëndron në një bazament me mekanizëm rrotullues, pasi që krijuesja e saj dëshironte që të krijonte mundësinë që maska të mund të shihej lehtë nga çdo kënd. Statuja e parë e punuar nga bronzi iu nda Sir Charlie Chaplin (Sër Çarli Çaplin) me rastin e hapjes zyrtare të hapësirave të reja të akademisë në vitin 1976. Bazamenti i maskës është i punuar nga mermeri dhe pesha e saj totale është 3,7 kg, ndërsa ajo është 27 cm e lartë, 14 cm e gjerë dhe 8 cm e trashë. Vetëm pjesa e maskës është 16 cm e lartë dhe 14 cm e gjerë.

 

Çmimet e Akademisë Britanike të Filmit BAFTA

Kur flitet për çmimet BAFTA, zakonisht nënkuptohen Çmimet e Akademisë Britanike të Filmit (British Academy Film Awards). Deri në vitin 2001, kjo ceremoni zhvillohej çdo vit në muajin prill ose maj. Mirëpo, duke filluar nga viti 2002 kjo ceremoni filloi të zhvillohej në shkurt si pararendëse e Çmimeve Oskar.

 

Çmimet BAFTA për Televizion dhe për Shkathtësi Televizive

Në përputhje me zhvillimin dhe historinë e saj çdo vit BAFTA e organizon edhe ndarjen e Çmimeve për Televizion (British Academy Television Awards) dhe Çmimeve për Shkathtësi Televizive (British Academy Television Craft Awards). Për t’i dalluar nga çmimet e tyre simotra në fushën e filmit këto dy ceremoni shpesh quhen vetëm BAFTA, ose Çmimet BAFTA për televizion. Nga viti 1968 deri në vitin 1997 këto çmime ndaheshin në një ceremoni të vetme mirëpo që atëherë ato janë ndarë në dy ceremoni të ndryshme të cilat organizohen në një distancë kohore katër javëshe në mes tyre.

 

Çmimet BAFTA për Argëtimin Interaktiv

Në vitin 1998, për herë të parë BAFTA i pranoi video lojërat dhe mediat e tjera interaktive (ndërvepruese) në ceremoninë përuruese të Çmimeve BAFTA për Argëtimin Interaktiv (BAFTA Interactive Entertainment Awards). Që atëherë edhe kjo ceremoni ka pësuar ndryshime pasi që rritja marramendëse e video lojërave çoi në lindjen e Çmimeve BAFTA për Video Lojëra (BAFTA Video Games Awards). Dy vjet më vonë Çmimet Interaktive të BAFTA pushuan së ekzistuari. Ndërsa në vitin 2006, BAFTA bëri të ditur vendimin e saj për t’i dhënë video lojërave status të njëjtë sikurse filmit dhe televizionit. Tradicionalisht, Çmimet BAFTA për Video Lojëra organizohen shumë shpejt pas ceremonisë së Çmimeve BAFTA për Filma.

PDF Magazine

Tetor

(ALB_ENG)210

READ MORE

NEW MAGAZINE