BESA KOKËDHIMA ‘EKSPRESIVE, PASIONANTE, DASHURIPLOTË, E DHEMBSUR, REBELE, LOZONJARE, FËMINORE, E THELLË, FILOZOFIKE

 

Besa Kokëdhima është një prej atyre këngëtarëve për të cilën është vështirë të thuash diçka të re apo të panjohur për publikun. Kjo sepse, ajo është një prej atyre artistëve që tashmë ka lënë gjurmë të paharrueshme në skenën e muzikës shqiptare. Muzika e saj e cila përgjatë viteve është shtrirë në zhanre të ndryshme – Pop, RnB, Pop Rock, Rock, Pop Dance, EDM, dhe padyshim baladat – i kanë siguruar asaj një audiencë të moshave dhe shijeve të ndryshme muzikore. Në këtë intervistë ekskluzive ju ftojmë që të lexoni për rrugëtimin e Besës në industrinë e muzikës, përvojat e saj me performancat live, dhe këshillat e saj për muzikantët e rinj. Mirëpo, mbi të gjitha ju ftojmë që të njiheni me pasionin e saj për muzikën, dëshirën e saj për të eksperimentuar dhe për përkushtimin e saj që t’i qëndrojë vetes besnike si artiste.

 

Çfarë ju ka frymëzuar që të bëheni këngëtare dhe si e nisët rrugëtimin tuaj në industrinë e muzikës?

Thirrjen e muzikës e ndjen shumë herët në jetë, që në fëmijëri. Kultivohet pasioni dhe vjen momenti që bëhet vokacioni më i rëndësishëm. Fillimet e mia i përkasin spektakleve muzikore: Mikrofoni i Artë, Top Fest, Kënga magjike etj.

 

A mund të përshkruani stilin tuaj muzikor dhe si ka evoluar ai me kalimin e kohës?

Unë kam eksperimentuar në stile të ndryshme, pasi jam një person që vazhdimisht kërkoj ndryshim dhe nuk më pëlqen të rënit në përsëritje. E kam nisur me Pop, RnB, më pas Pop Rock, Rock, Pop Dance, EDM, dhe baladat që më kanë karakterizuar gjithnjë.

 

A mund të flisni për ndonjë këngë që ka kuptim të veçantë për ju dhe pse?

Ka këngë të rëndësishme që e kane shënuar rrugëtimin tim, siç është Engjëjt Vrasin Njësoj, Zemrën dot nuk ta lexoj, Fishekzjarrë, Histori apo Si kalama. Nuk i veçoj dot pasi që secila i ka ngjyrat dhe emocionet e saj, dhe një copëz të shpirtit tim.

 

A mund ta përshkruani përvojën tuaj të performancës live?

Interpretimi live është eksperienca më e fortë, më magjike, interaksioni më i gjallë dhe i vërtetë i një artisti me emocionin që e shkëmben me audiencën e tij.

 

Cila mendoni se është pjesa më sfiduese e të qenit këngëtare?

Sfida më e vështirë është të arrish të shprehësh atë që do, duke mos e cunguar artin tënd në një treg që duket se bëhet gjithnjë e më sipërfaqësor në formë e përmbajtje.

 

A mund të ndani ndonjë mësim që e keni mësuar gjatë karrierës suaj që ju ka ndihmuar të rriteni si artist?

Këndoni sa më shumë live. Duhet të mësoni të këndoni minimumi 1000 këngë që të zbuloni karakteristikat interpretative të vokalit tuaj dhe të kultivoni autenticitetin tuaj si interpretues. Të zhvilloni teknikën dhe të njihni audiencën dhe reagimin e saj, ta përdorni si informacion në rrugëtimin tuaj të të krijuarit muzikë.

 

Çfarë këshille do t’u jepnit muzikantëve aspirantë që sapo e kanë filluar karrierën e tyre?

Përpiquni të jeni ndryshe nga ata që i dëgjoni në Radio apo TV! Jini Unik! Jini vetvetja!

 

A mund të flisni për ndonjë projekt të ardhshëm që jeni duke e përgatitur?

Rikthehem me një baladë me mikun tim Kledi Bahiti me të cilin edhe shkruaj muzikë, është një artist i spikatur në muzikë dhe në shpirt! Një tjetër bashkëpunim të një kënge ritmike dhe ekstravagante me një rapper eksentrik, dhe jam duke vlerësuar pjesëmarrjen e mundshme në Festivalin e RTSH-së këtë vit.

 

Si i trajtoni kritikat ose reagimet negative dhe çfarë këshille do t’u jepnit këngëtarëve aspirantë që mund të përballen me sfida të ngjashme?

Dëgjoni gjithkënd dhe bëni siç ndjeni vet. Studiojeni me themel artin tuaj. Mos bëni kompromise. Jini inteligjent dhe special. Mos u bëni replikues të muzikës trend të momentit. Jini gjithnjë kreativ të eksperimentoni e krijoni stilin tuaj. Kritikat i dëgjoj dhe përpiqem të racionalizoj çka është e vlefshme në një kritikë për t’u perfeksionuar.

 

Cila mendoni se është cilësia më e rëndësishme për një muzikant?

Shpirti, talenti, vokali dhe menaxhmenti.

 

A mund të ndani një përvojë të paharrueshme nga performimi live?

  • A Live night• në Top Channel ka qenë një mbrëmje live e jashtëzakonshme në vlerësimin tim. Interpretimi për kombëtaren e futbollit Francez në ndeshjen e UEFA-s gjithashtu një emocion i veçantë.

 

Si e balanconi jetën tuaj personale me kërkesat për të qenë muzikante dhe personazh publik?

Duke gabuar, duke mësuar. Nuk ka receta perfekte, do t’ju duhet t’ia kushtoni kohën e duhur gjithçkaje dhe gjithkujt që ka rëndësi për ju. Në fund, marrëdhëniet që do t’i kuroni do të mbijetojnë.

 

Si i qaseni ndërtimit dhe mbajtjes së marrëdhënieve me fansat?

Fansat i dua me zemër dhe përpiqem maksimalisht t’ua kthej dashurinë dhe mesazhet. Nuk ia dal dot gjithnjë, por mbart mirënjohjen e thellë për mbështetjen e tyre në rrugëtimin tim.

 

A mund të flisni për ndonjë hobi apo interes që e keni jashtë muzikës?

I dashuroj kafshët, natyrën, pianon, gjuhët e huaja, udhëtimet. Jam aktiviste dhe ambasadore e të drejtave të kafshëve, aktiviste në kauza të ndryshme sociale. Kam ndjeshmëri për të gjitha fenomenet që e prekin negativisht shoqërinë shqipfolëse dhe përpiqem të përdor platformat e mia për t’iu dhëne zë çështjeve me rëndësi dhe atyre që kanë nevojë për mbështetje.

 

Cila është këshilla më e mirë që ua kanë dhënë ndonjëherë?

Sa më shumë punon, aq më shumë duket se fati të buzëqesh. Të bërit hapa të vegjël çdo ditë, shpie në përparim të madh.

 

Tri momentet kyçe në jetën tuaj?

  • Top Fest 5, “Engjejt vrasin njëlloj” fitoj çmimin e parë dhe çmimin e publikut.
  • Kënga Magjike 2013 fitoj me “Tatuazh në Zemer”
  • The Voice në 2017 – Eksperienca më e bukur televizive për mua. I adhuroj talentet e reja!

 

Cila është fitorja më e madhe në jetë?

Të ndjehesh kontribuues në shoqëri, i vlefshëm në atë që bën për veten dhe për të afërmit e tu. Të qenët i pavarur. Të jesh i lumtur dhe mirënjohës për ato që të ka ofruar jeta dhe ta jetosh çdo ditë si të fundit. Të qenë në paqe me personin që je.

 

Radhiti sipas rëndësisë: Puna, Talenti dhe Pasioni?

Le të themi qe nëse ke talent, ke pasion e nëse ke pasion, punon me dëshirë. E thënë më thjeshtë, talenti është e dhëna bazë dhe puna është garancia e suksesit.

 

Facebook, Instagram, Snapchat, WhatsApp, TikTok apo…?

WhatsApp e përdor rregullisht, FB/Instagram i përdor vetëm pasi që jam artiste dhe kam nevojë të mirëmbaj rrugët e komunikimit me publikun tim. Tik Tok kam pak që e kam hapur dhe nuk ia kam idenë.

 

Cilat simbole (emoji) i përdorni më shpesh në komunikimin tuaj?

🥰😍♥️🌟🐥🙈🐶🐱🦄🙄🫠👻🦹🏻‍♀️

 

A mund ta shkruani një porosi vetëm me simbole dhe të na e shpjegoni?

🙋‍♀️🦹🏻‍♀️💭 Ti mund të jesh heroi i ëndrrës tënde.

 

Për çfarë ke dëshirë të mbahesh në mend më së shumti?

Zërin dhe thellësinë e mendimit, dashurinë që e dhuroj si dhe pafajësinë e shpirtit.

 

Lidhja e juaj me publikun dhe artin e Kosovës?

E dashuroj Kosovën, dhe e adhuroj shpirtin kreativ dhe guximtar të shqiptarëve të Kosovës. E çmoj pafund edhe ndërgjegjen qytetare në Kosovë, ka një ndjeshmëri dhe reagueshmëri të spikatur në raport me zhvillimin e shoqërisë.

 

Cila është porosia e juaj për lexuesit tanë?

Ndiqni intuitën tuaj, thirrjen tuaj të brendshme, luftoni për atë që besoni, luftoni për pasionin tuaj, luftoni për vendin tuaj dhe luftoni edhe për ata që nuk luftojnë dot për veten e tyre.

PDF Magazine

Tetor

(ALB_ENG)210

READ MORE

NEW MAGAZINE