Në shenjë të Ditës së Shën Valentinit ose siç njihet ndryshe Ditës së të Dashuruarve, në rubrikën tonë kushtuar botës së kinemasë nuk kishte se si të mos e krijonim për ju një listë me pesë filmat që shumëkush i konsideron si filmat romantik më të mirë të të gjitha kohërave.
When Harry Met Sally (1989)
Në vitin 1987, dy të sapo diplomuar nga fakulteti Harry Burns (Billy Crystal) dhe Sally Albright (Meg Ryan) udhëtojnë bashkë me makinë (jo me dëshirë) nga Çikago deri në Nju Jork. Gjatë rrugëtimit të tyre ata diskutojnë nëse meshkujt dhe femrat vërtetë mund mbesin miq platonik. Dhjetë vjet më vonë, Harry dhe Sally takohen sërish në një librari bashkë me miqtë e tyre përkatës më të mirë Jess (Bruno Kirby) dhe Marie (Carrie Fisher). Ata tentojnë që të vazhdojnë të mbesin miq pa i përfshirë ndjenjat e tyre.
Beauty and the Beast (1991)
Ky është një prej atyre tregimeve klasike që është punuar e ripunuar pafundësisht në versione të ndryshme. Mirëpo, versioni i animuar i punuar nga Disney në vitin 1991 është mbase një prej versioneve më të pëlqyera të ekranizimit të këtij tregimi, si nga fëmijët, po ashtu edhe nga të rriturit. Historia e këtij filmi dihet. Një djalë i mallkuar duhet ta bëjë një vajzë që ta dashurojë atë për ta thyer mallkimin. Realizimi ishte aq i qëlluar sa që jo vetëm shikuesit e adhuruan, por ai u bë filmi i parë i animuar që u nominua për çmimin Oscar në kategorinë Filmi më i Mirë.
Notting Hill (1999)
William Thacker (Hugh Grant) është pronar i një librarie në Londër, jeta romantike e të cilit çrregullohet tërësisht pas takimit me aktoren amerikane Anna Scott (Julia Roberts). Një takim i rastësishëm me derdhje të lëngut të portokallit çon në një puthje e cila shndërrohet në romancë shumë të bujshme. Teksa ylli i famshëm kinematografik dhe ky djalosh i zakonshëm afrohen gjithnjë e më shumë me njëri-tjetrin, ata e kanë të vështirë që për hir të dashurisë t’i pajtojnë stilet e tyre rrënjësisht të ndryshme të jetës.
The Notebook (2004)
Asnjë listë e filmave romantik nuk mund të jetë e plotë nëse në të nuk është i përfshirë filmi The Notebook (Ditari) i vitit 2004. Historia është shumë e thjeshtë, një punëtor krahu bie në dashuri me një vajzë të pasur, prindërit e së cilës nuk e miratojnë këtë lidhje. Mbase, një ndër arsyet kryesore për suksesin e këtij filmi është fakti që gjatë xhirimit të këtij filmi aktorët kryesor Rachel McAdams dhe Ryan Gosling ishin çift edhe në jetën reale. Rrjedhimisht, lidhja e tyre në këtë ekranizim të një prej novelave të Nicholas Sparks është tejet e fuqishme dhe reale.
Casablanca (1942)
Nuk mund të flitet për romancën në ekranin e madh pa e përmendur dashurinë e Ilsa dhe Rick, personazhe këto të luajtura respektivisht nga Ingrid Bergman dhe Humphrey Bogart. Një romancë që zhvillohet në kohë lufte e cila me guxim deklaron se vetëm dashuria i reziston testit të kohës. Po ashtu, Casablanca e bën atë që shumica e filmave romantik nuk guxojnë ta bëjnë as sot e kësaj dite – heqjen dorë nga fundi i lumtur. Me sa duket, pikërisht kjo është një ndër arsyet kryesore pse ky film adhurohet aq shumë.