YUNO: “MUZIKA, FAMILJA, SHOQËRIA JANË GJITHÇKA PËR MUA”

 

Yuno – ky është emri i një prej artistëve më të rinj në skenën tonë muzikore. Ai thotë se dashuria dhe pasioni për muzikë te ai është zhvilluar gradualisht që në moshë të re, fillimisht duke pasur dëshirën të mësoj instrumente muzikore si kitara, bateritë dhe perkusionet, e më vonë edhe duke i shkruar e kënduar tekstet e tij!

 

Cilat performanca deri më tani ishin më emocionuese për ty?

Ndër performancat më të mira që kam pasur deri tani, janë ato me bende muzikore! Gjithashtu me angazhimin tim në “Mitrovica Rock School”, e pata mundësinë të punoj dhe performoj me muzicientë të ndryshëm si nga Kosova, ashtu edhe nga Serbia, Maqedonia, Holanda, etj.

 

Si kanë ndikuar këto përvoja në formësimin tënd si njeri dhe si muzikant?

Definitivisht kur përfshihesh në projekte kulturo-artistike dhe edukative, ato të formësojnë dhe të transformojnë si njeri. Këtë ndikim e kanë pasur edhe tek unë meqë me çdo projekt dhe angazhim kam mësuar shumë, si edhe nga sukseset dhe nga gabimet eventuale.

 

Çka është muzika për ty?

Muzika, së bashku me disa faktorë të tjerë në jetë, si familja dhe shoqëria, janë gjithçka për mua.

 

Kur dhe cila do të jetë shfaqja jote e radhës?

Projekti im më i ri është kënga ‘Unë’ e cila është publikuar ditë më parë.

 

Cilët muzikantë/e të famshëm/me i adhuron?

Ndër muzikantët që më inspirojnë më së shumti janë Drake, Kendrick Lamar, John

Mayer, etj.

 

Cila është këshilla më e mirë që ta ka dhënë dikush?

Të mos dorëzohem së ndjekuri ëndrrat dhe qëllimet e mija, sado e pashpresë të duket situata.

 

Cilat janë rrymat muzikore që ndjek?

Ndër rrymat muzikore që më pëlqejnë janë Jazz, Blues, dhe muzika alternative.

 

Çfarë arritje pret që të përmbushësh në pesë deri në dhjetët vjetët e ardhshme?

Synoj që të arrij një karrierë të fuqishme në skenën muzikore, dhe të përfshihem në projekte të tjera kreative që janë domethënëse për shoqërinë.

 

A të ka shkuar ndonjëherë mendja që të braktisësh gjithçka dhe të fillosh nga e para?

Pasi që e kam një lidhje shpirtërore me muzikën në shumë dimensione, mbase ka pasur momente kur jam dekurajuar, por dorëzimi nuk ka qenë asnjëherë opsion për mua.

 

Si duket dita jote e zakonshme?

Dita ime fillon herët në palestër, pastaj vazhdoj me takime me bashkëpunëtor, dhe përfundoj në studio duke shkruar dhe kompozuar muzikë.

 

Cila është këshilla jote për një muzikant/e të ri/re në fillim të karrierës?

Të kenë shumë durim dhe të mos ndalen së punuari – gjithçka tjetër do të rrjedhë natyrshëm.

 

Si preferon të komunikosh me mesazhe apo telefonata?

Unë preferoj të komunikoj me mesazhe.

 

Facebook, Instagram, Snapchat, WhatsApp… cila është platforma jote e preferuar?

Instagrami meqë të mundëson më shumë promovim dhe paraqitje.

 

Sekreti për përcjellësit e tu në Instagram?

Nuk kam ndonjë sekret për përcjellësit e mi në Instagram. Në këto fillime shumica janë shokë/shoqe dhe të njohur dhe së fundi përcjellës të muzikës time.

 

Emojit – sa i përdor dhe cilat i përdor më shumë?

Nuk i përdor shume emoji-t por mbase zemra është ajo të cilën e përdori më së shumti.

 

Destinacioni turistik i ëndrrave?

Japonia dhe Korea e Jugut.

 

Me cilët artistë të famshëm botërorë do të darkoje?

Dua Lipa, Drake, Rihanna, Kendrick Lamar, etj.

 

A është dashuria vetëm fjalë?

Dashuria mund të jetë vetëm një fjalë, aq sa mund të jetë gjithçka pos një fjale.

 

Cilat janë dëshirat e tua për llambën e Aladinit?

Dëshirat e mia për llambën e Aladinit nuk do t’i zbuloj ende. Do ta kuptoni cilat ishin kur ato të realizohen.

 

Porosia juaj për të rinjtë në Kosovë?

Mësoni dhe jetoni versionin më të mirë të vetes suaj.

PDF Magazine

Tetor

(ALB_ENG)210

READ MORE

NEW MAGAZINE